12:43 / E Premte, 09 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Ahmeti thotë se s’duhet të ketë takim të katërt Thaçi-Vuçiq!

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka komentuar takimin e zhvilluar mes presidentit Thaçi dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq i cili u mbajt mbrëmë në kuadër të dialogut ndërmjet dy vendeve në Bruksel.

Sipas tij, Kuvendi i Kosovës urgjentisht duhet që të arrijë marrëveshje për rrugën përpara, për të cilën ai thotë se Kosova duhet ta mandatojë ekipin gjithëpërfshirës shtetëror.

Më poshtë postimi i plotë i Ahmetit:

Takimi i tretë në mes të Thaqit dhe Vuqiqit është takimi i tretë pa mandat dhe pa platformë. Pra edhe ky takim ishte pa legjitimitet ligjor e politik. Për më shumë është takimi i tretë publik i Thaqit pa transparence e raportim.

Kuvendi i Kosovës duhet që urgjentisht të arrijë marrëveshje për rrugën përpara. Kosova duhet ta draftojë platformen dhe ta mandatojë ekipin gjithëpërfshirës shtetëror në këtë process tepër sfidues e të rendësishëm për Kosovën.

Në kohën kur Serbia po bëhet gjithnjë e më agresive, e Thaqi gjithnjë më jolegjitim e jotransparent, duhet urgjentisht ta vendosim procesin në binarë demokratik e institucional.

Takim të katërt të tillë nuk duhet të ketë!