75 Mall Live Search
11:14 / E Hënë, 03 Shtator 2018 / indeksADMonline

Ahmeti uron vitin e ri shkollor, premton kushte sa më të mira për nxënësit e Prishtinës

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka uruar gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit për fillimin e vitit të ri shkollor.

Me këtë rast, Ahmeti ka treguar edhe angazhimin që ka bërë komuna e Prishtinës që të sigurohen kushtet për fillimin e një viti të mbarë, transmeton Indeksonline.

Ai ka premtuar se do punojnë me të gjitha mekanizmat për ngritjen e cilësisë në arsim.

Ky është postimi i tij:

Të nderuar prindër, nxënës, mësimdhënës,

Qytetarë të nderuar të Komunës së Prishtinës,

Sot fillon viti i ri shkollor 2018/2019. Si Komunë jemi angazhuar me të gjitha kapacitetet institucionale që të sigurojmë kushte për fillimin e një viti të mbarë, në 73 institucione të niveleve të ndryshme shkollore, me 45,400 fëmijë. Në shumicën e institucioneve shkollore janë bërë investime të mëdha për përgatitjen e infrastrukturës shkollore.

Falënderojmë të gjithë donatorët që kanë ndarë mjete të shumta materiale për riparimin dhe modernizimin e shumë kopshteve dhe shkollave.

Një falënderim i veçantë shkon për Organizatën TIKA e cila së bashku me fondet e siguruara nga Komuna, ka ndryshuar pamjen e brendshme të shkollës “Elena Gjika”; Zyrën Japoneze e cila ka bërë investime serioze në shkollën “Faik Konica”; por edhe shumë organizata tjera ndërkombëtare, me te cilat kemi nënshkruar marrëveshje mirëkuptime për investime në muajt dhe vitet e ardhshme.

Fokusi jonë do te jetë në ndërtimin e kopshteve dhe shkollave të reja, për të cilat tani më janë siguruar investime milionëshe, dhe reformimin e shkollave profesionale, të cilat do të aftësohen për përgatitjen e kuadrove për tregun e punës. Në ketë plan jemi ne fazën e përgatitjes së projekteve për disa lëmenj të punës, si elektroteknika, turizmi dhe hoteleria, profileve të mjekësisë, ndërtimtarisë, agrobiznesit, e të tjera, me organizata të fuqishme gjermane, austriake dhe zvicerane.

Në ketë mënyre ne po bëjmë hapa vendimtare rreth përgatitjes se terrenit për arsimin dual. Po punojmë me të gjitha kapacitetet për sigurimin e mekanizmave për ngritjen e cilësisë në arsim, duke i aftësuar mësimdhënësit për zbatimin e Kornizës Re Kurrikulare dhe në sferën e vlerësimit ku janë shënuar më së shumti ngecje.

Kjo nuk mund të ndodhë pa sigurimin e materialeve adekuate shkollore sidomos teksteve shkollore, tek të cilat janë evidencuar probleme serioze me përmbajtjet e tyre. Si DKA, ju sigurojmë, se do të përfshihen të gjithë nxënësit në nivelin e arsimit të detyruar, duke mos i harruar në asnjë mënyrë fëmijët me nevoja të veçanta dhe grupet e diferencuara. Sfidë në vete për tërë sistemin arsimor të Kosovës, mbetet plan-programi i mbingarkuar për fëmijët e klasave të ulëta, plan-program ky që pason me çanta shumë të rënda për ta.

Urojmë të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit për një vit të suksesshëm shkollor. Në veçanti, urojmë nxënësit e klasave të para, që nga nesër ulen për herë të parë në bankat shkollore./Indeksonline/