20:34 / E Enjte, 21 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Ajri i ndotur rikthehet në Prishtinë, kjo është renditja

Ajri në kryeqytet është rikthyer të jetë vdekjeprurës, siç po ndodhë rëndom në Kosovë gjatë dhe para stinës së dimrit.

Momentalisht, Prishtina renditet në top dhjetëshen e qyteteve me ajrin më të ndotur në botë.

Pakistani, India, Bangladeshi, Vietnami, Kina, Mongolia e Nepali janë shtetet e vetme ku ajri është më i ndotur sesa në Kosovë.

Sipas matjeve momentale, norma e cilësisë së ajrit në Prishtinë është 162, që konsiderohet i pashëndetshëm.

Për ajrin e pashëndetshëm në kryeqytet sot kanë alarmuar edhe katër monitorët e vendosur për publikimin e të dhënave të cilësisë së ajrit në Prishtinë.

Cilësia e tmerrshme e ajrit gjatë dimrit ishte përcjellur edhe me protesta të banorëve të Prishtinës.

Ndonëse sipas Komunës së Prishtinës ende nuk dihen shkaktarët e vërtetë të ndotjes së ajrit, shumë banorë mendojnë se qymyri që përdoret me shumicë gjatë dimrit, është shkaktari kryesor i ndotjes.

Sipas një raporti të vitit të kaluar të publikuar nga Agjencia Europiane e Mjedisit, Kosova kryeson në Evropë për vdekjet nga ndotja e ajrit. /IndeksOnline/