75 Mall Live Search
19:44 / E Martë, 09 Qershor 2026 / MSH1

AKK: Vonesat në formimin e institucioneve po ndikojnë drejtpërdrejt në komuna

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Republikës së Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka kërkuar formim sa më të shpejtë të institucioneve.

Pas zgjedhjeve të 9 qershorit, Ibrahimi vlerëson se krijimi sa më i shpejtë i institucioneve qendrore ka impakt të drejtpërdrejtë në komuna, sepse një pjesë e madhe e vendimeve që ndikojnë në funksionimin e pushtetit lokal varen nga funksionimi i institucioneve të nivelit qendror.

“Sot komunat po përballen me sfida të shumta ligjore dhe financiare, duke filluar nga çështjet që lidhen me kontratat kolektive, përmbarimin e vendimeve gjyqësore, financimin e kompetencave komunale, miratimin e legjislacionit që prek pushtetin lokal, si dhe adresimin e shumë problemeve të tjera që kërkojnë vendimmarrje në nivel qendror” ka thënë Ibrahimi, për IndeksOnline.

Ai thotë se formimi i institucioneve ka rëndësi edhe sepse komunat po presin miratimin për rishikimin e buxheteve të tyre, për vitin 2026.

“Shumë komuna kanë nevojë të ri-destinojnë mjete buxhetore, si pasojë e barrës financiare të krijuar nga zbatimi i kontratave kolektive, por edhe për të adresuar nevojat reale të qytetarëve dhe prioritetet e reja zhvillimore. Kjo kërkon funksionimin normal të mekanizmave institucionalë në nivel qendror” shtoi Ibrahimi.

E rëndësishme, sipas Ibrahimit, është edhe krijimi i mundësive që komunat të përfitojnë nga Plani i Rritjes i BE-së.

“Komunat janë bartëse të shumë reformave dhe investimeve në terren, prandaj mungesa e institucioneve funksionale mund të ngadalësojë proceset reformuese, të vonojë projektet zhvillimore dhe të kufizojë mundësitë për thithjen e fondeve evropiane.”

Sipas drejtorit të AKK-së, komunat preken nga shumë çështje, si ajo e kontratave kolektive, krijimi i grantit të katërt për investime kapitale, si dhe forcimi i dialogut në komuna dhe avancimi i reformës së financave lokale.

Këto edhe e rrisin interesin dhe nevojën e qytetarëve që sa më shpejt vendi të ketë institucione të reja, stabile dhe funksionale./IndeksOnline/