10:49 / E Diele, 02 Prill 2023 / Gj. Sh

Aksidente dhe flamuj të kuq, Verstappen fiton me Hamilton që ndjek

Mes ndërprerjesh të shumta, makinës së sigurisë që u fut disa herë në pistë dhe flamujve të kuq, Max Verstappen ia doli të siguronte fitoren e dytë sezonale në Çmimin e Madh të Australisë. Kaosi mbizotëroi në Melbourne teksa sfida nisi me një ritëm të çmendur. Ishte George Russell që parakaloi në start Max Verstappen ndërsa në xhiron e dytë, Charles Leclerc mbyll garën pas një kontakti me Stroll. Në vijim ishte dyshja e Mercedes që kryesoi garën teksa në xhiron e shtatë u desh ndërhyrja e makinës së sigurisë pas një aksidenti të Albon.

Por, me kalimin e xhirove hyri në fuqi flamuri i kuq për të pastruar pistën. Në këtë pikë, ishte Russell që u penalizua pasi ishte futur më parë në bokse dhe më pas kur të gjitha makinat u rikthyen në bokse humbi pozicione. Pas rifillimit të garës, Hamilton mori kryesimin i ndjekur nga Verstappen. Gjithsesi, fati nuk ishte në anën e Russell pasi motori e la në baltë me britanikun që u detyrua të tërhiqej para kohe.

Me vazhdimin e garës, Verstappen parakaloi Hamilton me britanikun që nuk mund të ruante ritmin e Red Bull. Ndërkohë, kur kishin mbetur vetëm katër xhiro nga fundi i garës, Kevin Magnussen “parkoi” njëvendëshen e tij Haas në pistë duke detyruar makinën e sigurisë të ndërhynte teksa më pas në fuqi hyri sërish flamuri i kuq. Pas disa minutash ndërprerje, makinat u rikthyen në pistë për një tjetër start.

Verstappen ruajti pozicionin ndaj Hamilton ndërsa Alonso u përplas nga Sainz, ndërkohë në prapavijë Ocon dhe Gasly, dy shokë skuadre te Alpin u përplasën duke sjellë sërish ndërprerjen e garës. Makinat iu drejtuan sërish bokseve ndërsa gara u mbyll me një xhiro të fundit nën regjimin e makinës së sigurisë ndërsa pavarësisht se doli jashtë piste, komisarët e garës vendosën që Alonso të mos e humbiste vendin e tretë për shkak se në momentin që ndodhi aksidenti nuk ishte kryer një xhiro e plotë dhe kështu u lanë në fuqi pozicionet e mëparshme.

Pas kësaj gare, Verstappen koleksionoi fitoren e dytë radhazi në këtë sezon ndërsa për holandezin ishte triumfi i parë në tokën kanadeze teksa Mercedes tregoi përmirësime me Hamilton që u ngjit në podium ndërsa Alonso konfirmon formën e mirë të Aston Martin. Nga ana tjetër, Ferrari mbetet një zhgënjim në këto gara të para me Sainz që e mbylli në vend të 12-të. Ndërkohë, në zonën e pikëve u renditen Stroll, Norris, Hulkenberg, Piastri, Zhou dhe Tsunoda.