22:53 / E Martë, 18 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Aksidenti fatal në “Rrugën B”, edhe dy muaj paraburgim për shoferin

Një aksident komunikacioni që ndodhi më 22 tetor në ‘Rrugën B’ në Prishtinë, u kushtoi me jetë dy këmbësoreve, të cilat vdiqën si pasojë e lëndimeve që morën nga goditja me veturë.

Dy ditë pas aksidentit, Gjykata Themelore në Prishtinë aprovoi kërkesën e Prokurorisë Themelore, duke i shqiptuar masën e paraburgimit, ngasësit të veturës me inicialet L.M, shkruan Indeksonline.

Sipas Themelores, shoferi i veturës “BMW”, kishte shkelur ligjin mbi trafikun publik dhe kishte vënë në rrezik jetën e njerëzve, duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes dhe duke mos ju dhënë përparësi kalimi këmbësorëve në vend dhe me pjesën e përparme të anës së djathtë i kishte goditur në trup këmbësorët L.A dhe F.R, e si pasojë e së cilës, dy këmbësoret ndërruan jetë.

Tani që kanë kaluar gati dy muaj nga ky rast, Kryeprokurori i Themelores, Imer Beka në një prononcim për Indeksonline ka treguar se cilat janë zhvillimet më të reja.

Sipas tij, Prokuroria tanimë e ka marr ekspertizën e rastit dhe se ndaj shoferit është caktuar edhe një masë tjetër.

“E kemi marr ekspertizën për rastin edhe u vendos që ndaj shoferit me ju caktuar edhe 2 muaj masa e paraburgimit po ashtu edhe u intervistua i dyshuari dhe po merren të gjitha provat e nevojshme që të ngritet aktakuza”, ka thënë Beka./Indeksonline/