10:44 / E Shtunë, 07 Gusht 2021 / A. M.

Aksidenti tragjik në Kroaci, gjashtë të lënduar po marrin trajtim në spitalin e Slavonski Brodit

Kanë kaluar dy javë që nga aksidenti tragjik i autobusit në Kroaci ku mbetën të vdekur 10 kosovarë e u lënduan shumë të tjerë.

Në spitalin e Slavonski Brodit janë duke marrë trajtim mjekësor edhe gjashtë persona të lënduar.

Nëpërmjet një kumtese për media Zyra e Kryeministrit konfirmon se gjendja e tyre shëndetësore është stabile dhe ata janë në përkujdesjen e mjekëve dhe vëmendjen e zyrtarëve të Ambasadës së Kosovës në Kroaci, të cilët janë në dispozicion për çdo kërkesë të spitalit lidhur me pacientët.

Në momentin e aksidentit, që ndodhi më 25 korrik në afërsi të Slavonski Brodit në Kroaci, në autobusin që po qarkullonte në linjën Frankfurt- Prishtinë kanë qenë 67 pasagjerë dhe dy shoferë.

Në spitalin “Dr. Josip Benčević” kanë marrë ndihmë mjekësore 42 qytetarë. 10 bashkatdhetarë nuk i mbijetuan aksidentit.

Pas përfundimit të trajtimeve mjekësore dhe përmirësimit të gjendjes shëndetësore, në Gjermani janë kthyer me aeroplan shtatë qytetarë, ndërsa njëri me transport të veçantë.

Në Kosovë, në formë të organizuar dhe privatisht janë kthyer 53 qytetarë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës u dëshiron shërim të plotë të lënduarve të hospitalizuar dhe i siguron se do të vazhdojë përkujdesjen dhe angazhimin për ta”, thuhet në kumtesën e Zyrës së Kryeministrit.