13:07 / E Martë, 12 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Aktakuzat e para, nga Haga, brenda këtyre dy muajve?

Shoqata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, thotë se nga janari i këtij viti, Prokuroria e Specializuar e Gjykatës Speciale ka ftuar më shumë se 200 pjesëtarë të UÇK-së si dëshmitarë dhe të dyshuar. Por sipas avokatit Tomë Gashi, i cili ka marrë në mbrojtje disa prej të të ftuarve, në mesin e tyre edhe Sylejman Selimin, numri i të dyshuarve dhe i dëshmitarëve shkon në rreth 800.

Të ftuarit janë nga i gjithë zingjiri komandues i UÇK-së, nga ushtarë të thjeshtë e deri në gjeneralë dhe komandantë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Që nga miratimi i ligjit për Dhomat e Specializuara nga Kuvendi i Kosovës më 82 deputetë, pjesa më e madhe e opinionit publik e ka kundërshtuar themelimin e Dhomave të Specializuara për të ndjekur vetëm krimet e supozuara të kryera nga UÇK-ja, duke e cilësuar të padrejtë themelimin e saj. Por, ka pasur dhe ka zëra që e mbështesin Gjykata Speciale dhe kërkojnë nga ajo të hetojë të gjitha vrasjet politike të luftës e të pasluftës, përfshirë edhe ato që kanë ndodhur pas dhjetorit të viti 2000, që është kufiri i shtrirjes së mandatit të saj.

Kadri Veseli: Më 4 dhjetor do të udhëtoj drejt Hagës

Kur më 3 gusht 2015, Kryeparlamentari Kadri Veseli ftonte deputetët të votonin ligjin për Dhomat e Specializuara, vështirë t’i kishte shkuar mendja se një ditë Prokuroria e Dhomave të Specializuar, do t’i dërgonte atij personalisht ftesën për tu intervistuar lidhur me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Katër vjet më vonë, nga Dhomat e Specializuar të Hagës, ai ka marrë ftesën ashtu si qindra bashkëluftëtarë të tij. Para mediave dhe duke iu drejtuar opinionit publik, Veseli të enjten e 7 nëntorit, konfirmoi se më 4 dhjetor do udhëtojë drejt Hagës dhe se do t’i përgjigjet ftesës, i bindur se ai dhe të gjithë ish pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës, do ta kalojnë edhe këtë sfidë dhe do të dalin faqebardhë:

 “Epoka e UCK-se dhe luftës çlirimtare është epoka më krenare e jetës sime. Por duhet pranuar një fakt: Lufta e drejtë e popullit tonë për liri ka qenë e sulmuar vazhdimisht! Që nga paslufta ky është procesi i pestë i drejtësisë, të cilit i nënshtrohet kjo luftë. Nuk besoj se në historinë e lëvizjeve çlirimtare të ketë pasur një shembull të tillë. Edhe ky proces duhet të ketë epilog. Jam i bindur se edhe kjo gjykatë do ta vërtetojë luftën e drejtë të UÇK-së. Unë do t’i përgjigjem kësaj ftese me 4 dhjetor në Hagë”, ka theksuar Veseli.

Tashmë janë publike ftesat për ish-komandantët dhe pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si: Rrustem Mustafa, Sylejman Selimi, Azem Syla, Bislim Zyrapi, Sami Lushtaku, Rexhep Selimi, Ramush Haradinaj, Sokol Dobruna, etj. Disa prej tyre tashmë janë marrë në pyetje në Prishtinë e shumica në Hagë.

Në mesin e më shumë se 200 ftesave, Prokuroria Speciale e Dhomave të Specializuara ka ftuar edhe tri femra: Raimonda Rrecin, Safete Hadergjonajn dhe Time Kadrijaj.

Kjo e fundit, një luftëtare nga Zona e Dukagjinit, me profesion mjeke, deputete në disa legjislatura nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ishte ftuar më 3 shtator të këtij viti në cilësinë e dëshmitares. Ajo i th a Radio Kosovës se do t’i përgjigjet Gjykatës, sepse është e bindur se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e pastër dhe se ajo nuk ka çfarë të fshehë.

Kadrijaj thekson se vetë bën pjesë në mesin e deputetëve që nuk e votuan themelimin e Dhomave të Specializuara në Kuvendin e Kosovës, e bindur se nuk kishte as një arsye për një gjë të tillë.

 “Jam shumë e lumtur që nuk e kam votuar Gjykatën Speciale të Hagës. Nuk e kam votuar, sepse kam menduar se po na bëhet një padrejtësi e madhe dhe se me këtë po provohet të barazohet krimineli me çlirimtarin. Një Gjykatë e tillë është dashur të krijohet në Serbi dhe të gjykohen të gjitha krimet që Serbia ka kryer në Kosovë. Ne ende kemi 1600 të pagjetur dhe Serbia nuk po bashkëpunon që trupat e të vrarëve dhe të pagjeturve të kthehen në Kosovë. Jam e lumtur që nuk e kam votuar, por as deputetët tjerë nuk është dashur të votonin një Gjykatë të njëanshme, që dënon vetëm krimet e supozuara të UÇK-së. Të ishte një gjykatë që i heton të gjitha krimet e kryera në Kosovë, ndoshta do të kishte arsyeshmëri, por kështu si është, nuk është dashur të votohet. Nuk e kam menduar se edhe unë do të marrë ftesë nga kjo gjykatë, por unë do t’i përgjigjem, sepse ne nuk kemi tjetër çfarë të dëshmojmë, përveç pastërtisë dhe luftës së drejtë që e kanë bërë djemtë dhe vajzat e UCK-së”, thekson Kadrijaj, teksa shton se Dhomat e Specializuara po dëmtojnë mjaft edhe imazhin e Kosovës.

Si Time Kadriaj dhe dy shoqet e saj të luftës, janë dhe rreth 200 persona të tjerë të ftuar nga Prokuroria e Specializuar. Prej tyre pjesa dërmuese janë ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare, dhe sigurisht ditëve në vazhdim ku numër do të rritet.

Por, të gjithë ish pjesëtarët e UÇK-së, që tashmë kanë marrë ftesa nga Prokuroria Speciale, kanë një adresë ku mund të kërkojnë ndihmë dhe të marrin këshilla juridike falas. Kjo adresë është Shoqata së Veteranëve të UÇK-së.

Hysni Gucati, kryetar i kësaj shoqate, thotë se që nga dita kur ka arritur ftesa e parë nga Haga, angazhohet bashkë me bashkëpunëtorët e tij që t’i dalë në ndihmë secilit ish pjesëtar të UÇK-së, ndërsa tregon se një pjesë e të ftuarve  janë  qytetarë që nuk kanë qenë në uniformën e UÇK-së.

Gucati tregon se shoqata që drejton, ka kontakte me shumicën e të ftuarve nga Dhomat e Specializuara dhe se Shoqata e Veteranëve të UÇK-së ka angazhuar një avokat, ndërsa bashkëpunojnë edhe me një kompani angleze që është e autorizuar të mbrojë pjesëtarët e UÇK-së, që janë ftuar nga Prokuroria e Dhomave të Specializuara:

 “Është një kompani angleze e avokatëve e licencuar në Gjykatën Speciale, me të cilën bashkëpunojmë pandërprerë, në krye me avokatin nga Kosova Gafurr Elshani, i cili është avokat zyrtar i Shoqatës së Veteranëve të luftës së UÇK-së dhe këshilltar imi personal. Ne u kemi bërë thirrje të gjitha atyre që kanë marrë ftesa nga Dhomat e Specializuara, që të lajmërohen tek ne për ndihmë juridike dhe për mbrojtje falas. Deri tani kemi gjashtë apo shtatë prej tyre që jemi duke i ndihmuar”, thekson Gucati.

Hysni Gucati: Tri aktakuzat e para do të ngiten shumë shpejt!

Ai tregon se tashmë Gjykata Speciale ka ftuar pothuajse pjesën më të madhe të ish Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Derisa thekson se shumica e ftesave janë në cilësinë e dëshmitarëve, ka edhe shumë të ftuar në cilësinë e të dyshuarve. Gucati thekson se sipas informacioneve që kanë, tri akuzat e para pritet të vijnë shumë shpejt:

 “ Bukur një numër i madh janë të ftuar si të dyshuar, por numri më i madh është i  dëshmitarëve. Edhe të dyshuar janë shumë, pothuaj se të gjithë komandantët e UÇK-së. Janë dy tri zona të prekura më shumë: është Zona e Llapit, por edhe Zona e Pashtrikut dhe Dukagjinit. Në bazë të informacioneve që kemi nga avokatët ndërkombëtarë, pritet që tri aktakuzat e para të ngiten shumë shpejt. Përshtypja jonë është se ato do të ngritën brenda dy muajve sa kanë mbetur. Kjo është shumë reale. Dhashtë zoti që ne të jemi gabim dhe ato të mos ngritën asnjëherë!”

Gucati thotë se veteranët e UÇK-së nuk ishin pajtuar asnjëherë me  themelimin e Dhomave të Specializuar.

“Tashmë shihet se ajo është e pamundur të zhbëhet”, thotë me bindje Gucati, por sipas tij, “edhe më tej është i mundur amendamentim i ligjit, pasi ajo është mono-etnike. Kështu si është, është e drejtuar vetëm kundër shqiptarëve”, thotë Gucati:

 “Edhe peticionin kur e kemi bërë vitin e kaluar, kemi kërkuar plotësimin e ligjit, ose nëse nuk bëhet kjo, të shfuqizohej Gjykata. Tani të gjithë e dimë se është i pamundur shfuqizimi i Gjykatës, sepse është shumë vonë edhe pse ka premtuar Albin Kurti, kur ka thënë në Parlamentin e Kosovës, se kur ai të vije në pushtet, nuk do ta dorëzojë asnjë pjesëtarë të UÇK-së në Speciale. Ne nuk do të ndalemi. Edhe nga Qeveria e re do të kërkojmë amendamentimin dhe plotësimin e ligjit, që kjo gjykatë të mos jetë e njëanshme vetëm për UÇK-në. Ekziston mundësia që kjo të bëhet përmes plotësimit dhe ndryshimit të ligjit.”

Edhe analisti dhe njohësi i proceseve politike dhe fushës juridike e legjislative, Ramush Tahiri, mendon se ka pasur një alternativë tjetër që do ta kishte parandaluar themelimin e Dhomave Speciale. Tahiri thotë se nuk kanë pasur të drejtë ata që trumbetuan se nëse Gjykata Speciale nuk miratohet nga Kuvendi, ajo do të themelohej nga OKB-ja:

“Nuk besoj se Këshilli i Sigurimit apo ndonjë institucion evropian të kishin krijuar një Gjykatë për Kosovën. E para: për shkak se Kosovën Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk e njeh si shtet, dhe e dyta: ata nuk do të kishin bërë kurrë një Gjykatë monoetnike.”

Tahiri mendon se ende ka mundësi, po të duan deputetët e Kuvendit të Kosovës, që përmes amendamentimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara të ndryshohet misioni i saj. Kjo, sipas tij, është e vetmja mundësi që  i ka mbetur Kosovës.

Tomë Gashi: 100 të dyshimtë dhe 800 dëshmitarë

Një kundërshtar i ashpër kundër themelimit të Dhomave të Specializuara që nga fillimi, është avokati i njohur Tomë Gashi. Gjykata Speciale, siç shprehet ai për Radio Kosovën, është një dëm i madh për shtetin e ri të Kosovës.

“Ata deputetë që e kanë votuar këtë gjykatë, nuk i kanë bërë një të mirë Kosovës  dhe është e pa kuptueshme kur një pjesë e estabilishmentit politik dhe shtetëror të Kosovës bënin trysni tek deputetët e vet, që të krijojnë një gjykatë që do të kthehet  kundër vetë atyre”.

Avokati Gashi supozon për shifra të tjera të dyshuarve dhe dëshmitarëve  që mund të jenë marrë në pyetje:

“Është e sigurt se më shumë se 100 persona janë marrë në pyetje në cilësinë e të dyshimtëve dhe kemi më shumë se 800 që janë marrë në pyetje në cilësinë e dëshmitarëve, dhe shumica e këtyre dëshmitarëve në këtë cilësi janë marrë në territorin e Serbisë. Askush nuk mund të thotë në afat të caktuar se kur do të ngritën akuzat e para, por mendoj që prokurorët këtë çështje do ta kryejnë momentin kur ata i grumbullojnë provat, që të tentojnë ta vërtetojnë fajësinë e atij të cilin duan ta akuzojnë. Ata janë duke punuar seriozisht dhe nuk do t’ia lënë rastësisë asnjë rast, që ta dërgojnë para gjykatës.”

Avokati Gashi thotë se po punojnë së bashku me avokatët amerikanë, Gregor Gaismith  dhe Kalindra Han, dhe se deri më tani kanë një mori klientësh, mbrojtjen e të cilëve janë duke e përgatitur. Ai thotë se nuk mund të bëjë publik emrat e personave që kanë marrë në mbrojtje, përveç emrit të komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimit, që është bërë publik.

Që nga themelimi i Dhomave të Specializuara, pjesa më e madhe e opinionit publik në Kosovë e ka kundërshtuar formën dhe qëllimin e saj për të ndjekur vetëm krimet e supozuara të kryera nga UÇK-ja, duke e cilësuar të padrejtë themelimin e saj. Por, ka zëra që e mbështesin Gjykata Speciale dhe kërkojnë nga ajo të hetojë të gjitha vrasjet politike të pasluftës përfshirë edhe ato që kanë ndodhur pas dhjetorit të viti 2000, që është kufiri i shtrirjes së mandati të saj.

Fetah Rudi: Gjykata Speciale të zbardhë vrasjet politike

Aktivisti shumëvjeçar nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fetah Rudi, ishte plagosur nga persona deri më tani të panjohur nga policia gjatë një atentati që ishte kryer kundër tij, deri sa kthehej nga Prishtina për në vendlindje. Rudi thotë se shpreson për drejtësi nga Gjykata Speciale:

 “Pas lufte siç e dimë të gjithë, kanë ndodhur vrasje politike në Kosovë, por në zbardhjen e tyre kanë dështuar UNMIK-ut, ka dështuar Euleksi dhe kanë dështuar organet e drejtësisë në Kosovë. Mendoj dhe besoj, shumë besoj, se Gjykata Speciale do t’i zbardhë vrasjet politike, duke filluar nga vrasja e Ahmet Krasniqit e deri te vrasjet më të fundit. Drejtësia në Kosovë ka dështuar, ka dështuar sepse komandantët e kanë qenë më të fortë! Jo që ka dështuar, sepse nuk ka pasur gjykatës dhe prokurorë të zotë, porse komandantët kanë pasur më shumë pushtet se ata dhe nuk kanë lejuar zbardhjen e vrasjet politike, vrasjet e pasluftës nga drejtësia,” thekson Fetah Rudi.

Image result for Fetah Rudi

Nga Dhomat e Specializuar shpresojnë edhe familjarët nga komunitetit serb dhe minoritetet e tjera, që gjatë kohës së luftës dhe menjëherë pas luftës kanë anëtarë të familjes së ngushtë të zhdukur pa gjurmë.

Milorad Trifunoviq,  koordinator i Shoqatës për të Pagjeturit Serbë, tha për Radio Kosova se pritjet e serbëve nga Gjykata Speciale janë të mëdha:

“Mund t’u them lirisht se ky është shansi i fundit ku unë shoh zgjidhje për problemin tonë të rëndë, para së gjithash zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Do të lehtësoheshim sikur të jepen informacione se ku janë varrosur trupat e familjarëve tanë, në mënyrë që të vijmë deri te gjetja e mbetjeve mortore të tyre dhe që të paktën të mund t’i varrosim në mënyrë të dinjitetshme.“

Bekim Blakaj: Gjykimet në Hagë, ballafaqim me të kaluarën

Nga ana e tij, drejtor ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare në Prishtinë, Bekim Blakaj, i cili është marrë shumë me mbledhjen e të dhënave për krimet e luftës të kryera në Kosovë, thotë se gjykimet në Gjykatën Speciale në Hagë, do të jenë një ballafaqim me të kaluarën:

 “Definitivisht, çdo gjykatë që i trajton krimet e luftës, është përballje me të kaluarën pasi përpara kësaj gjykate do të procedohen lëndët për krimet e pretenduara të kryera par më shumë se 20 vitesh. Gjykata Speciale do ti procedojë lëndët që kanë qenë subjekt i raportit të Këshillit të Evropës i hartuar nga senatori zviceran Dik Marti. Krimet e supozuar në këtë raport kanë qenë aq serioze sa ndërkombëtarët nuk kanë mundur të kalojnë mbi to, prandaj dhe si pasojë është krijimi i Dhomave të Specializuara. Po të hetoheshin këto pretendime dhe supozime që dalin edhe në librin e zonjës Karla del Ponte, situata sigurisht do të ishte ndryshe”, thekson Blakaj.

Ai mendon se Dhomat e Specializuara u themeluan për shkak të dështimit të drejtësisë vendore që nuk hetoi krimet e kryera gjatë luftës dhe as vrasjet politike që ndodhën pas luftës. Pamundësia për të ruajtur dëshmitarët e mbrojtur duket se është arsyeja pse Gjykata u vendos të vepronte jashtë vendit, konkretisht në Hagë, thekson  drejtor ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare në Prishtinë, Bekim Blakaj Blakaj:

Pyetja që tani shtron shumëkush është: nëse fillimi i shpalljes së aktakuzave të para nga Dhomat e Specializuara, sidomos nëse ato bëhen ndaj njerëzve kryesorë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, do të reflektojë në situatën e sigurisë në vend?

Organizatave të dala nga lufta të mbledhura në shoqata veteranësh të UÇK-së disa herë kanë paralajmëruar mundësinë e protestave masive kundër Dhomave të Specializuara, por eksperti për siguri, Nurdin Ibishi, nuk sheh ndonjë rrezik për stabilitetin e vendit pas ngritjes së aktakuzave për komandantët e UÇK-së nga Gjykata Speciale :

“Pjesëtarët e UÇK-së çdo herë i janë përgjigjur drejtësisë edhe vendore edhe ndërkombëtare dhe vazhdojnë ta bëjnë më shumë dinjitet dhe integritet edhe në rastet e fundit kur janë në proces ftesat qoftë në cilësinë e dëshmitarit apo të dyshuarve. Kështu që nuk mendoj se ka rrezik për këtë.”

Nuredini vlerëson se garanci për stabilitet në vend është prania e KFOR-it në Kosovë, por edhe institucioneve tona kompetente, siç janë: Policia e Kosovës, Shërbimi i Inteligjencës etj, që nuk do të lejonin në asnjë mënyrë histeri dhe daljen e situatës nga kontrolli.

Siç dihet, është Kuvendi i Kosovës ai që përmes miratimit të një ligji të veçantë, themeloi Dhomat e Specializuara me seli në Hagë, pra, jashtë Kosovës, me misionin për të gjykuar krimet e dyshuara dhe të supozuara të kryera prej 1 janarit të vitit 1998 deri më 31 dhjetor të  vitit 2000 brenda territorit të Kosovës.

Zanafilla e krijimit të Dhomave Speciale mund të thuhet se nis në kohën e UNMIK-ut, kur ish prokurorja e Përgjithshme e Tribunalit të Hagës, Karala del Ponte, bazuar në spekulimet mediale serbe, kishte hetuar të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë” në Shqipëri.

Më vonë ishte një raport i deputetit zviceran në Këshillin e Evropës, Dick Marty, i prezantuar në janar të vitit të viti 2011, që do të bëhet shkaku i kërkesave të vendeve të ndryshme ndërkombëtare për themelimin e një gjykate të tillë, e që përmbante supozime dhe pretendime për krime të rënda, që sipas Martit, hamendësohej t’i kishte kryer Ushtria Çlirimtare e Kosovës, siç potencohej gjatë luftës së fundit në Kosovë, por edhe pas përfundimit të luftës.

Pretendime të ngjashme përmbante edhe libri i Carla Del Pontes me titullin “Gjuetia: Unë dhe kriminelët e luftës”.

Dhomat e Specializuara për ndriçimin e krimeve të luftës kanë mandat të përkohshëm dhe të kufizuar me seli në Hagë, por janë themeluar nga Kuvendi i Kosovës përmes një ligji të veçantë, i cili është miratuar me dy të tretat e votave të deputetëve kosovarë respektivisht me 82 vota. Gjykata vepron e pavarur, ndërsa financohet nga Bashkimi Evropian.

Në Gjykatë janë të angazhuar rreth 150 persona profesionistë, prokurorë e gjyqtarë të cilët vijnë nga shumë vende të botës.

19 gjykatësit e përzgjedhur vijnë nga 14 vende. 

Aktualisht në procesin hetimor është i angazhuar prokurori i tretë me radhë, Xhek Smit. I pari ka qenë Klint Vilijamson, i cili ishte pasuar nga Dejvid Shvendiman, që të tre shtetas amerikanë. Sikur Viljamson dhe Shvendiman, ashtu edhe prokurori aktual, Xhek Smith, kanë një karrierë dhe përvojë profesionale të lakmueshme jo vetëm në SHBA, por edhe në misione ndërkombëtare dhe njihen si të pa kompromis, të pakorruptuar dhe të pandikuar nga politika.