16:52 / E Enjte, 20 Korrik 2023 / AR

Aktakuzë ndaj dy serbëve për huliganizëm në veri

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër dy të pandehurve me inicialet S.J dhe I.S të nacionalitetit serb.

Prokuroria Speciale njofton se të pandehurit S.J dhe I.S. kanë tentuar të marrin pjesë në turmën e mbledhur dhe të ndërmarrin veprime të dhunshme të huliganizmit, në atë mënyrë që me datën 30.05.2023, në pikë kalimin kufitar në Jarinjë, komuna e Leposaviqit, fillimisht e kanë kaluar kufirin dhe në  bashkëkryerje kanë ndërmarrë të gjitha veprimet përgatitore të nevojshme, sende të destinuara për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, dëmtimin e objekteve publike dhe private si dhe shkaktimin e dëmtimeve trupore personave zyrtar, duke qenë në kontakt me pjesëmarrës tjerë të turmës në Leposaviq, janë pajtuar që ti bashkëngjiten turmës së dhunshme të protestuesve serb të datës 29.05.2023, me ç’rast protestuesit kishin ushtruar dhunë të pakontrolluar, me mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara si dhe me armë zjarri, nga të cilat ishin lënduar të paktën (tridhjetë) 30 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it, (tre) 3 nga ta nga predhat e armëve të zjarrit, si dhe ishin shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme në automjetet e KFOR-it, Policisë së Kosovë, si dhe në veturat e gazetarëve të cilët kanë mbuluar ngjarjet e kësaj dite, të cilat përfshijnë djegien e plotë të disa automjeteve ose dëmtimin fizik në masë të madhe, duke shkaktuar rrezik në shkallë të gjerë për jetën dhe trupin e shumë njerëzve dhe pasurisë, mirëpo, të njëjtit janë ndalur nga ana e pjesëtarëve të policisë së Republikës së Kosovës dhe kështu është pamundësuar pjesëmarrja e tyre në turmën e lartpërmendur.

Me këto veprime të pandehurit S.J dhe I.S. në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale ‘’Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale huliganizmi’’ nga neni 404 paragrafi 1 dhe 3  lidhur me nenin 28 dhe 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Ndërkaq, i pandehuri I.S akuzohet se ka mbajtur në pronësi, kontroll ose  posedim të paautorizuar të armëve, si dhe gjatë kontrollimit të veturës së markës “Honda” me targa sllovene, të cilën e drejtonte i pandehuri, në bagazhin e veturës janë gjetur dhe sekuestruar katër sprej dhe  një piper sprej për të cilat nuk kishte autorizim që ti mbaj. Me këto veprime i pandehuri e ka kryer veprën penale ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ nga neni 366 paragrafi 1 i Kodit  Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).