Aktakuzë ndaj katër personave, vodhën 8 500€ në parking të qendrës tregtare
Prokuroria Themelore e Pejës, Departamenti për
Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve, B.K., F.B., N.H., dhe
L.B., për veprën penale ”Grabitje” nga neni 329, paragrafi 3, lidhur
me paragrafin 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, katër të pandehurit, B.K., F.B., N.H., dhe L.B., në
bashkëkryerje me datën 22 janar të këtij vitit, rreth orës 11:23 në
qytetin e Deçanit, përkatësisht në parkingun e qendrës tregtare “Viva
Fresh”, nën kërcënimin e revoles kishin grabitur shumën prej 8,543
(tetëmijepesëqindedyzetetre) mijë euro, nga të dëmtuarit A.R. dhe V.B., të
cilët në ato momenti ishin duke dërguar pazarin e ”Viva Fresh” për ta dorëzuar
në bankë.
Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë përmbushur
elementet e veprës penale të përshkruar si me lartë.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës
që të pandehurit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprën
penale e cila ju vihet në barrë.
Lidhur me veprat penale të grabitjeve, tri muajt paraprak, Departamenti i
Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore të Pejës, ka ngritur 6 (gjashtë)
aktakuza, kundër 14 (katërmbëdhjetë) të pandehurve për këto vepra penale,
ku vlera e parave të grabitura është rreth 300.000 (treqind) mijë euro.
/Indeksonline/