13:38 / E Premte, 28 Shtator 2018 / indeksADMonline

Aktakuzë ndaj pronarit të agjencisë që mashtroi 50 klientë me bileta për Turqi

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Granit Leka, për shkak të veprës penale ‘’Mashtrimi’’, i cili dyshohet se ka mashtruar 50 persona  me bileta për Turqi. Për këtë mashtrim kishte raportuar ekskluzivisht Indeksonline.

Sipas aktakuzës, në kohë të papërcaktuar deri në fillim të muajit gusht të vitit 2018, në Gjilan, i pandehuri G.L., si pronar i një agjensioni turistik, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, ka mashtruar 50 (pesëdhjetë) klientë – të dëmtuar, duke iu ofruar bileta fiktive për pushime në Turqi, me të cilat nuk kanë pasur mundësi të udhëtonin, me ç’rast të njëjtëve i’u ka shkaktuar dëm material në vlerë prej 123.859.00 euro (njëqindenjëzetetre mijë e tetëqindepesëdhjetenëntë).

Me këto veprime, i pandehuri ka kryer veprën penale ‘’Mashtrimi’’, nga neni 335 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokurori i ka propozuar Gjykatës kompetente në Gjilan, që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit për veprën penale, e cila i vihet në barrë. /Indeksonline/

Agjencioni turistik mashtron qytetarët, ua merr paratë por nuk ua jep biletat për Turqi (Dokument)