11:35 / E Premte, 08 Mars 2019 / indeksADMonline

Aktivistja Krenare Loxhaj bënë thirrje për të përkrahur marshin për avancimin e gruas

Të marshojmë për avancimin e pozitës së gruas në shoqërinë kosovare: aktivistja Krenare Loxhaj bënë thirrje për të përkrahur marshin e sotshëm

Në një intervistë për programin e mëngjesit në Urban FM, Krenare R. Loxhaj, aktiviste e shoqërisë civile dhe një nga iniciatorët e marshit protestues që mbahet sot nga ora 12 në Prishtinë, me moton Marshojmë – S`festojmë, 8 Marsi Dita Ndërkombëtare e Gruas, ka ftuar të gjithë qytetarët që t`i bashkëngjiten marshit sepse avancimi i pozitës së gruas në shoqërinë kosovare është në të mirë të të gjithëve, jo vetëm grave.

“ne të gjithë njohim dikë si në familje, shoqëri apo edhe vet kemi qenë viktimë e dhunës apo kemi dëshmuar dhunë ndaj femrës, prandaj pjesëmarrja në marshin e sotshëm në ditën ndërkombëtare të gruas është një mesazh për të gjitha ato viktima se nuk janë vetëm, është shprehur aktivistja Loxhaj.

Ajo gjithashtu ka bërë thirrje institucioneve kosovare që të jenë më të efektshme në implementimin e ligjit sepse vetëm në këtë mënyrë mund të bëhen hapa konkret në zhdukjen e diskriminimit në baza gjinore por edhe të çfarëdo lloji tjetër të diskriminimit qoftë ai edhe që shprehet në formën e homofobisë, racizmit etj.

Duke krahasuar gjendjen e tanishme me të kaluarën Loxhaj është shprehur se “natyrisht që ka përparime, por mbetet shumë për t`u bërë. Tash së fundi kemi rastin kur pas një presioni të shtuar publik, pas apelit vrasësi burri nga Gjakova që vrau gruan dhe vajzën, u dënua me burg të përjetshëm. Kjo është një lajm i mirë, që qon mesazh tek viktimat e dhunës femrat që të kenë besim tek institucionet e Kosovës. Ligjet i kemi perfekt vetëm duhet të implementohen” ka deklaruar Krenare Loxhaj e cila në fund duke i bërë thirrje edhe një herë dëgjuesve të Radio Urban FM që t`i bashkohen marshit që fillon në orën 12 në Sheshin Zahir Pajaziti, si diçka pozitive ka përmendur edhe faktin që më në fund pas 20 viteve, ka filluar që të flitet hapur për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së Kosovës duke bërë thirrje që tash e tutje kjo formë e vrazhdë e krimeve të luftës mos të neglizhohet siç është bërë gjatë dy dekadave të kaluara.