17:00 / E Diele, 07 Janar 2024 / AR

Aktorja e çmimeve ‘Oscar’, e revoltuar me të rinjtë: Janë të papërgjegjshëm

Aktorja fituese e çmimit Oscar, Jodie Foster ka thënë se Gjenerata Z mund të jetë “vërtet e bezdisshme” për të punuar me të.

Në një intervistë për “The Guardian”, Foster tha se ndonjëherë e kishte të vështirë për të kuptuar qëndrimet e tyre ndaj punës.

Por ajo lavdëroi një yll të Gjeneratës Z, Bella Ramsey, duke e quajtur 20-vjeçaren një shembull të një aktori.

Foster, tha se ndihej e detyruar të ndihmonte aktorët e rinj të gjenin rrugën e tyre “sepse ishte e vështirë të rriteshe”.

Duke folur për Gjeneratën Z – një term që përdoret përgjithësisht për të përshkruar ata që kanë lindur në fund të viteve 1990 dhe fillim të viteve 2000 – Foster, 61 vjeç, tha me shaka: “Ata janë vërtet të bezdisshëm – veçanërisht në vendin e punës.

“Të punosh me Gen Z (gjenerata Z) nuk është maksimumi. Janë me të vërtetë irritues. Thonë gjëra të tipit “Sot nuk ndihem në humor, do të vi në punë në orën 10:30.”

Ose dërgojnë email plot gabime të cilat unë ja vë në dukje, duke i pyetur nëse i kanë rilexuar. Dhe ata përgjigjen: “Pse duhet ta bëjmë? Është e tepërt.”

“Ata duhet të mësojnë si të relaksohen, si të mos mendojnë shumë më tepër për gjërat.”

Foster veçoi aktoren britanike Ramsey, duke kujtuar se si ajo u takua për herë të parë me të në festën e “Elle’s Women in Hollywood”.

Foster e përshkroi atë si një “ngjarje të mrekullueshme”, por vuri në dukje se të gjithë të pranishmit ishin “të veshur me taka dhe qerpikë”.

“Ka mënyra të tjera për të qenë një grua dhe është me të vërtetë e rëndësishme që njerëzit ta shohin këtë. Dhe Bella, e cila mbajti fjalimin më të mirë, kishte veshur kostumin më të përsosur, të qepur bukur, me një ndarje të mesme dhe pa grim.”

Foster shtoi se kur ishte e re nuk do të ishte në gjendje të vishej si Ramsey me kostum dhe pa grim në një event showbiz-i.

“Sepse nuk ishim të lirë. Sepse nuk kishim liri. Dhe shpresojmë se kjo është ajo që ofron vektori i autenticitetit që po ndodh – mundësia e lirisë së vërtetë,” shtoi ajo.

Foster, e cila pritet për një tjetër nominim për Oscar për rolin e saj në “Nyad”, foli gjithashtu për dy djemtë e saj dhe qëndrimin e tyre ndaj grave.

Ajo shpjegoi se tani janë “super feministë”, në një fazë djali i saj i madh besonte se duhej të ishte i pasjellshëm me gratë që të ishte më burrëror.

Aktorja shtoi: “Unë i thoja, jo! Nuk është kështu të jesh burrë! Për këtë të ka mësuar kultura jonë gjatë gjithë kësaj kohe?”