14:22 / E Enjte, 24 Tetor 2019 / indeksADMonline

Akuzohet se vrau kushëririn e tij, Marash Arraj: S’kam lidhje me vrasjen

Gjykata e Shkodrës ka dhënë masën “arrest me burg me afat 40 ditë” për 26-vjeçarin Marash Arraj, i akuzuar për vrasjen e kushëririt të tij, Lazer Arraj në fshatin Shosh të Dukagjinit.

Ishte vetë prokurorja e çështjes, Esmeralda Ndoci, që kërkoi këtë masë sigurie për të pritur aktet e ekspertimit të rrobave dhe provave të tjera plotësuese.

I dyshuari nuk i pranoi akuzat ndaj tij në sallën e gjyqit, duke thënë se nuk ka asnjë lidhje me vrasjen.

Gjyqtare e çështjes është Ermira Dedja.

Si u zbulua vrasja?

Prej mesditës së të hënës (21 tetor) kur u njoftua vrasja e 55-vjeçarit, forca të shumta policie dhe ato të FNSH zbarkuan me kontrolle në zona, ku bënë shoqërimin e disa të afërmve të viktimës dhe nisën marrjen e tyre në pyetje.

Të dhënat kontradiktore që fillimisht i kanë dhënë policisë, thuhet nga burimet, kanë ndihmuar të shkohet tek identifikimi i autorit.

Dy herë është qëlluar me armë zjarri në drejtim të viktimës, ndërsa ai po largohej nga fshati për t’u kthyer në Shkodër, ku jetonte prej vitesh me familjen.

Motivi i vrasjes dyshohet se është një konflikt midis dy familjeve, por nuk përjashtohen as pista të tjera.

Ndaj 26-vjeçarit të arrestuar rëndojnë dy akuza “vrasje me paramendim” dhe “armëmbajtje pa leje”.