Albena Reshitaj: Mbështetja për artistët është përkrahje për shtetin
Kandidatja për deputete, Albena Reshitaj, ka deklaruar se zhvillimi i kulturës dhe artit duhet të mbetet prioritet institucional, duke theksuar se mbështetja për artistët nënkupton edhe mbështetje për shtetin dhe identitetin e tij kulturor.
Reshitaj bëri të ditur se, së bashku me artistë nga fusha të ndryshme, ka zhvilluar një takim me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kandidatin për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ku janë diskutuar sfidat dhe prioritetet kryesore të sektorit të kulturës dhe artit.
Reshitaj theksoi se një nga mesazhet kryesore të takimit ishte nevoja për emërimin e kuadrove profesionale dhe kompetente në institucionet kulturore, duke kundërshtuar praktikat që favorizojnë mediokritetin dhe servilizmin.
“Si mesazh qendror i takimit, u theksua nevoja për emërimin e kuadrove profesionale, me integritet dhe kompetencë, në vend të praktikave që favorizojnë mediokritetin dhe servilizmin. Në këtë kuadër u kërkua edhe riaktivizimi i hapësirave kulturore të rëndësishme, përfshirë galerinë në Pallatin e Rinisë”, ka thënë Reshitaj.
Ndërsa ka bërë të ditur se gjatë takimit u trajtuan shtatë tema kryesore:
1. Politikat zhvillimore për kulturën dhe artin, ku theksua nevoja që investimet kapitale në kulturë të vazhdojnë dhe të mos zëvendësohen me subvencione të rastësishme.
2. Edukimi kulturor dhe promovimi i trashëgimisë, pasi rëndësia e edukimit të të rinjve për kulturën është shumë e madhe.
3. Decentralizimi i kulturës dhe artit, siç edhe artistët kërkuan që aktivitetet kulturore dhe mbështetja institucionale të mos përqendrohen vetëm në kryeqytet, por të shtrihen në të gjitha komunat e Kosovës.
4. U kërkua përfundimi me kohë i renovimeve të zgjatura prej vitesh, në mënyrë që artistët dhe publiku të kenë qasje në hapësira funksionale dhe moderne.
5. Lehtësimi i procedurave administrative dhe mbështetja institucionale, pasi u ngrit shqetësimi se burokracia po pengon kreativitetin dhe realizimin e projekteve artistike
6. Zbatimi i ligjit për sponsorizime dhe fuqizimi i partneriteteve
7. Meritokracia dhe fuqizimi i institucioneve kulturore

