Albert Bunjaki beson fuqishëm: Kjo gjeneratë meriton Botërorin!
Albert Bunjaki ka folur për ndeshjen jetike mes Kosovës dhe Turqisë, e cila zhvillohet të martën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë nga ora 20:45, në kuadër të finales së playoff-it për kualifikim në Kupën e Botës.
Në një intervistë për Indeksonline, ish-përzgjedhësi i Kosovës ka theksuar rëndësinë e menaxhimit emocional në një sfidë të tillë, duke vlerësuar maksimalisht përgatitjet e skuadrës.

“Do të jetë një ndeshje me shumë emocione dhe duhet të dimë të kontrollojmë energjinë në aspektin pozitiv. Për këtë jam shumë i sigurt se stafi teknik ka bërë përgatitjet maksimale. Turqia është një kombëtare shumë e fortë, ku loja e tyre është e përqendruar në posedimin e topit dhe herë pas here shoqërohet me ndryshim të tempit dhe kreativitet të lartë. Mendoj se asnjëra nga kombëtaret nuk ka hapësirë për gabime,” u shpreh Bunjaki.
Ai foli edhe për dallimet e Turqisë ndër vite, duke theksuar se skuadra aktuale ka më shumë kreativitet dhe lëvizshmëri në fushë.
“Dallimi është më shumë te kreativiteti në lojë dhe lëvizshmëria pa top. Turqia i krijon aksionet në mënyrë metodike, duke avancuar pozicionet në gjysmëfushën e kundërshtarit. Mendoj se këtu qëndron dallimi kryesor, edhe pse nga aspekti i renditjes në vitin kur ne ishim në kualifikime, ata ishin në vendin e 19-të dhe sapo kishin përfunduar Kampionatin Evropian në Francë, ndërsa tani janë në vendin e 24-t. Pra, janë përafërsisht në të njëjtin nivel, por me më shumë kreativitet,” deklaroi ai.

Sa i përket mundësisë që një lojtar si Edon Zhegrova të përshtatet në sistemin aktual të trajnerit Franco Foda, Bunjaki u shpreh pozitiv për opsionet që ka Kosova.
“Është një pyetje shumë e vështirë, sepse forma e lojës së z. Foda është dinamike, por natyrisht, kush nuk do të donte ta kishte Edon Zhegrovën në ekip! Më herët përmenda kreativitetin e lojës së Turqisë, por edhe Kosova ka kreativitet, fuqi dhe shpejtësi në lojë. Andaj, personalisht ndihem shumë mirë kur e di që Kosova ka opsione që, si trajner, të japin mundësi për ndryshime taktike në lojë,” theksoi ai.
Në fund, Bunjaki shprehu besimin e tij të plotë në këtë gjeneratë, duke e cilësuar këtë moment si historik për futbollin kosovar.

“Unë gjithmonë kam besuar në këtë projekt dhe tani jemi një hap larg ëndrrës tonë! Një Botëror me Muriqin, Rrahmanin, Vojvodën, Rashicën, Berishën, Celinën dhe shumë e shumë të tjerë do të ishte shpërblimi për gjithçka që ata kanë dhënë që nga koha kur unë i ftova.
“Në fund, unë uroj që në tribuna të jenë të ftuar lojtarë dhe trajnerë nga të gjitha gjeneratat, si nga koha e izolimit ashtu edhe më pas. T’i kujtojmë të gjithë ata që kanë kontribuar në mënyrën e tyre për një ditë të tillë. Unë biri yt, Albert,” përfundoi ai./Indeksonline/ Granit Terstena/

