14:15 / E Premte, 04 Tetor 2019 / indeksADMonline

Albin Kurti viziton shtëpinë e pavarësisë “Dr.Ibrahim Rugova”, thotë fjalë të mira për të

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër nga kjo parti Albin Kurti, sot po vazhdon vizitën në tri shtëpitë muze në Kosovë atë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Shtëpinë  e Pavarësisë së Kosovës “Dr.Ibrahim Rugova” dhe pastaj do ta vizitojë kompleksin e “Adem Jashari” në Prekaz.
Gjatë vizitës së Muzeut të Pavarësisë, Albin Kurti, u shoqërua edhe nga veprimitari Hydajet Hyseni. Ai tha se në këtë shtëpi, e cila dikur ka qenë Lidhja e Shkrimtarëve  të Kosovës presidenti Rugova ka filluar veprimtarinë e tij politike.

“Në këtë shtëpi po ashtu bashkë me Adem Demaçin në vitin 1998-99 kemi mbajtur mbi 15 konferenca shtypi si zyrë e përgjithshme e përfaqësisë politike të UÇK-së  6 prej të cilave i kam mbajtur unë vetë pa bacën Adem. Me presidentin Rugova unë jam takuar këtu në vitin 1997 dhe takimet tona kanë qenë konstruktive, edhe atëherë kur nuk jemi pajtuar. Unë e vlerësoj për insistimin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe kundër okupimit të Serbisë. Para 30 vjetëve janë disa intervista dhe deklarime të presidentit historik Ibrahim Rugova  se pavarësia e Kosovës është kompromis dhe unë besoj që kjo është një gjë që duhet vlerësuar”, tha Albin Kurti
Kurti pas kësaj vizite u nis për një vizitë në kompleksin e Jasharë në Prekaz.