16:10 / E Enjte, 24 Tetor 2019 / indeksADMonline

Albulena përzihet në sistemin e drejtësisë, “urdhëron” se cila Prokurori duhet të merret me rastin e Astritit

Albulena Haxhiu nga Vetëvendosja ka kërkuar që me hetimet për rastin e Astrit Deharit të merret Prokuroria Speciale dhe jo ajo e Prizrenit pasi, sipas saj, nuk ka besueshmëri.

“Më 5 nëntor të këtij viti bëhen tri vjet që kur u vra aktivisti jonë Astrit Dehari. Pak ditë para se të bëhen tri vjet u bë publik raporti i Institutit zviceran ku uU konfirmua ajo që kishte thënë familje dhe ne”.

“Ai nuk u vetëvra por është vrarë dhe atë vetëm se ishte aktivist i Vetëvendosjes. Pas publikimit të këtij raporti ne kërkojmë që Prokuroria e Prizrenit të mos merret me hetimin e ri me rastin e Astrit Deharit”.

“Kjo Prokurori nuk mund të sigurojë e as të ndërtojë besueshmërinë mbi hetimin e këtij rasti. E njëjta Prokurori ka humbur besimin dhe është involvuar në këtë rast dhe nuk mund të sjellë hetime objektive në këtë rast”.

“Ne kërkojmë nga Prokuroria Speciale që ta merr në trajtim dhe hetim këtë rast dhe që asnjë zyrtar apo prokuror siç është rasti i Sylë Hoxhës që kanë qenë të përfshirë të mos jenë të përfshirë në hetime, por të thirren si të dyshuar dhe si dëshmitar”.

Haxhiu deklaroi se të gjithë zyrtarët e përfshirë në vdekjen e Astrit Deharit duhet shkarkuar dhe të vihen para drejtësisë.

“Mosnisja e hetimeve të brendshme e bën përgjegjës të drejtpërdrejtë edhe kryeprokurorin Aleksandër Lumezi. I njëjti nuk mund ta heqë përgjegjësinë nga vetja. Ai është kryeprokuror i shtetit dhe ka përgjegjësi për prokurorët”.

“I bëjmë thirrje për nisjen e hetimeve të brendshme për të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë qoftë drejtuesit e institucioneve, qoftë zyrtarëve në Shërbimin Korrektues, qoftë në Polici, Prokurori, por dhe gjyqtarët e burgjeve në Prizren duhet të shkarkohen dhe t’i hapim rrugë hetimit të pavarur”.