11:31 / E Martë, 09 Qershor 2020 / indeksADMonline

Aleanca, ende pa konkretizim emrash për zv.ministra në Qeverinë e Hotit

Pas mocionit të mosbesimit dhe rrëzimit të Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, Kosova tashmë ka një qeverisje të re, në krye me Avdullah Hotin.

Koalicioni i lidhur: LDK, AAK-NISMA e Listës Serbe arriti që të konkretizonte qeverisjen.

Por pavarësisht se kanë kaluar disa ditë që nga zyrtarizmi i kësaj qeverie, ende nuk janë emëruar zv.ministrat e ri të Kosovës.

Edhe pse u lakua si emër i mundshëm për zv.ministër nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, zyrtari i AAK-së, Muharrem Nitaj e ka mohuar një gjë të tillë.

I kontaktuar nga Indeksonline, Nitaj tha se ende nuk ka diçka konkrete sa u përket emrave të zv.ministrave në kuadër të AAK-së.

“Ende nuk ka një vendim të Aleancës për zv/ministra”, tha shkurt Nitaj.

Në Qeverinë e Kosovës, AAK-ja ka zv.kryeministrin Besnik Tahiri, ministren e Jashtme Meliza Haradinaj, ministrin e Drejtësisë Selim Selimi, ministrin e Ekonomisë Blerim Kuçi dhe ministrin e Arsimit Ramë Likaj.

AAK-ja qeverisi me vendin para Albin Kurtit, në një koalicion të lidhur me Nismën, PDK-në dhe komunitetet.

Më pas lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit për shkak të thirrjes që iu bë nga Gjykata Speciale./Indeksonline/