12:58 / E Mërkurë, 25 Nëntor 2020 / OSH

Ambasada amerikane në Kosovë: Çdo grua, çdo vajzë, çdo person meriton një jetë pa dhunë

Ambasada amerikane në Prishtinë thotë se nga të dhënat e Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës, del se gjatë pandemisë së koronavirusit, në Kosovë janë rritur për 17 për qind rastet e dhunës në baza gjinore.

Gjatë pandemisë COVID-19, Ministria e Drejtësisë ka parë një rritje prej 17 për qind të rasteve të raportuara të dhunës në baza gjinore në Kosovë, ku pjesa më e madhe e rasteve të rritura është në zonat urbane. Çdo grua, çdo vajzë, çdo person meriton një jetë pa dhunë”, tha ambasada e SHBA-së përmes një postimi në Twitter.

Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, Ambasada amerikane i bëri thirrje Qeverisë dhe shoqërisë civile, që të ndërmarrin veprime për të mbrojtur viktimat e dhunës.

“Sot në Ditën Ndërkombëtare të Eliminimit të Dhunës ndaj Grave, ju bëjmë thirrje të gjithë parnerëve në Qeveri, në sektorin privat dhe në shoqërinë civile që të ndërmarrin veprime për të mbrojtur më të prekurit dhe për të hetuar dhe gjykuar të gjitha incidentet”, thuhet në reagimin e ambasadës.