16:40 / E Enjte, 05 Prill 2018 / indeksADMonline

Ambasada amerikane rikonfirmon mbështetjen për ministren Reshitaj

Ministrja  e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj ka pritur në një takim zyrtarin  e  Ambasadës  Amerikane në Prishtinë Matt Briggs, i cili është interesuar për takimet që ministrja ka zhvilluar  në kuadër të vizitës së saj zyrtare në Washington.

Reshitaj e informoi zyrtarin amerikan për takimet që ka realizuar  me zyrtarë të Departamentit Amerikan të Shtetit, USAID, MCC, Bankës Botërore, EPA  etj,  nga të cilët ka marrë përkrahje për projektet që kanë të bëjnë me mjedisin dhe planifikimin hapësinor.

Zyrtari amerikan Matt Briggs e ka përgëzuar ministren Reshitaj për takimet dhe mbështetjen që ajo ka marrë ajo gjatë vizitës në Washington.

Ai shprehu gatishmërinë që edhe ambasada në Prishtinë ta përkrah ministren në disa iniciativa konkrete për të mirën e  mjedisit dhe qytetarëve të Kosovës.

Në këtë takim u ritheksua rëndësia e fuqizimit të pjesëmarrjes së gruas në politikëbërje dhe në procesin e vendimmarrjes, transparencën dhe bashkëpunimin me donatorët ndërkombëtar dhe shoqërinë civile.

Si çështje tjetër që u diskutua në takim ishte edhe mundësia e ofrimit të ekspertëve amerikanë të cilët do ta ndihmonin MMPH-në në fusha të ndryshme.

Gjithashtu ministrja përmendi edhe përkrahjen që ka marrë nga USAID-i për themelimin e Odës së Arkitektëve dhe Inxhinierëve të Ndërtimtarisë.

Themelimi i kësaj ode sigurisht se do të ndihmojë për certifikimin e profesionistëve të këtyre fushave në të ardhmen  dhe përfshirjen direkte në procesin e vendimmarrjes për çështje të planifikimit hapësinor./Indeksonline/