12:35 / E Hënë, 23 Nëntor 2020 / OSH

Ambasadori Cufaj pret Oficerët e ri të FSK-së që diplomuan në Bundeswehrin gjerman

Ambasadori i Republikës së Kosovës Beqë Cufaj i shoqëruar nga Atasheu Ushtarak i FSK-së në Gjermani i Kosovë Kolonel Xhavit Sadriaj, sot pritën tre oficerët e ri nga Kosova: Nëntoger Albestrim Rexhepin, Nëntoger Nuhi Pronaj dhe Nëntoger Rinor Hamiti të cilët me sukses kanë kryer shkollimin e tyre pranë Bundeswehrit në Gjermani.

Ambasadori Cufaj me këtë rast përgëzoi oficerët e ri të Ushtrisë së Kosovës të cilët nga data 12 Dhjetor e këtij viti do t’i bashkangjiten FSK-së dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes FSK-së dhe Bundeswehrit duke potencuar që aspirata e Ushtrisë sonë për t’u anëtarësuar në NATO mund dhe duhet të realizohet pikërisht përmes bashkëpunimit të tillë.

“Gjermania kishte kaluar rezonin politik dhe ushtarak qysh në vitin 1999 kur hyri në luftën e Kosovës edhepse politika e saj ishte për mosbërje të luftës që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Prej Qershorit të vitit 1999 e deri më sot në Kosovë kanë qëndruar më shumë se 120.000 ushtarë dhe oficerë gjermanë të cilët kanë ruajtur paqen por edhe kanë trajnuar e përgatitur ushtrinë e re të Kosovës. Bashkëpunimi me Bundeswehrin është i pashmangshëm pasi që Ushtria e Kosovës është pashmangshëm e përcaktuar për t’u bërë pjesë e Aleancës Verio Atlantike”, tha Ambasadori Cufaj para Oficerëve të ri të FSK-së.