22:37 / E Premte, 06 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Ambasadori Hasani i reagon Vuçiqit: “ Je kampion i mohimit dhe nënvlerësimit të krimeve në Kosovë”

Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani, ka thënë se Serbia po mohon krimet dhe gjenocidin e bërë në masakrën e Reçakut duke shfrytëzuar harresën  kohore dhe neglizhencën e Shqiptarëve në mungesën e kallëzimeve penale për gjenocid nga shteti i Kosovës.

E sipas Hasanit, këtë po e bën ish-pjesëmarrësi i krimeve monstruoze në Bosnje dhe Kosovë, vet presidenti Vuçiq.

Ambasadori tha se shteti i Kosovës duhet ta thotë të vërtetën për krimet serbe në Kosovë, edhe pse Serbia po e akuzon Tribunalin e Hagës me falsifikime e shtrembërime historike, duke mbuluar dhunën e vrasjet në shfarosjen etnike shqiptare në Kosovë, dhe largimin me terror të një milion civilëve shqiptarë në Shqipëri e Maqedoni.

Për më shumë lexojeni postimin e plotë të tij:

Serbia mohon krimet, mohon Reçakun, mohon gjenocidin e bërë në Kosovë, duke shfrytëzuar harresën kohore dhe neglizhencën e Shqiptarëve në mungesën e kallzimeve penale për gjenocid nga shteti i Kosovës.

Këtë Serbia sot po e bënë përmes presidentit Vuçiç, ish pjesëmarrës i krimeve monstruoze në Bosnje e Kosovë.

Kur nga miqtë tanë tashmë, nga bashkësia ndërkombëtare po kërkohet paqe e dialog mes Kosovës – Serbisë.

Po atë që se bënë institucionet e Kosovës me kohë e thotë ministri i Jashtëm i Shqipërisë Gent Cakaj, sot në marrjen e kryesimit të OSBE-s në Brasticllavë, në kryeqytetin Sllovak, duke e akuzuar presidentin e Serbisë Vuçiç, para ministrave të jashtëm të OSBE-s, për falsifikim e mashtrim të historisë dhe fshehjes të krimeve e gjenocidin serb në Kosovë.

Ministri Shqiptar i jashtëm, Gent Cakaj Vuçiçin e quan një, “Josef Gebelsi” i regjimit të Millosheviqit tani është shndërruar edhe në kampion të mohimit dhe nënvlerësimit të krimeve në Kosovë.

Skandaloze !

Akterët ndërkombëtarë duhet të dënojnë shtrembërimet e pështira të vërtetës historike, që fyejnë viktimat dhe përpjekjet për pajtim. Masakra e Reçakut nuk do të harrohet kurrë”.

Institucionet e shtetit të Kosovës, duhet ta thonë në çdo institucion ndërkombëtar, të vërtetën për krimet Serbe në Kosovë. Dhe duhet të procedohet menjëherë me kallëzime penale e denime të krimeve të bëra nga policia e ushtria Serbe, në Kosovë.

Serbia me falsifikime e shtrembërime historike na akuzon në Tribunalin e Hagës, për të mbuluar dhunën e vrasjet në shfarrosjen etnike Shqiptare në Kosovë dhe deportimin me terror të rreth një milion civilëve Shqiptarë në Shqipëri, në Maqedoni.

Krimet nuk vjetërohen dhe kurrë nuk duhet të harrohen.