17:34 / E Hënë, 14 Dhjetor 2020 / Blerim

Ambasadori i Hungarisë në Kosovë viziton lëvizjen Vetëvendosje

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje,  Albin Kurti, së bashku me deputetët z. Hekuran Murati dhe znj. Yllza Hoti, pritën në takim Ambasadorin e ri të Hungarisë në Kosovë, Dr. József Bencze dhe sekretarin e dytë të Ambasadës Hungareze në Prishtinë, z. Márton Nikoëitz-Holló.

Gjatë takimit u diskutua rreth bashkëpunimit mes Kosovës dhe Hungarisë, projekteve nga e kaluara e ato të planifikuara nga Ambasada Hungareze, dhe historisë së përbashkët të dy popujve tanë qysh nga mesjeta.

Ambasadori Bencze tregoi për përvojën e tij të deritanishme në Kosovë, duke potencuar disa projekte të rëndësishme siç është funksionalizimi i Komisionit për Bashkëpunim Ekonomik dhe fuqizimi i bashkëpunimit të universiteteve të dy shteteve tona.

Ai shfaqi  gatishmërinë e tij për të forcuar marrëdhëniet mes Hungarisë e Kosovës përmes projekteve ekonomike, arsimore, kulturore e infrastrukturore.

Ndërsa Albin Kurti shprehu falënderimin për përkrahjen e vazhdueshme të Republikës së Hungarisë për Republikën e Kosovës, përfshirë këtu ndihmën gjatë luftimit të pandemisë, përmes donacionit të 50 mijë maskave dhe 5 mijë uniformave mbrojtëse për personelin shëndetësor. Gjithashtu, u bisedua edhe rreth suksesit të programit të bursave “Stipendium Hungaricum”, i cili u mundëson studentëve nga Kosova të studiojnë me financim të plotë në universitete të Hungarisë.

Ambasadori Bencze përmendi disa nga barrierat e deritanishme për implementimin e projekteve në Kosovë, dhe gatishmërinë e tij për të punuar në tejkalimin e tyre përmes përpjekjeve të dyanshme.

Ndërsa kryetari i VV-së nënvizoi gatishmërinë e tij për thellimin e bashkëpunimit mes dy shteteve, me theks të veçantë në eliminimin e ngecjeve të deritanishme.

Nxënësit dhurojnë piktura origjinale për mjekët me motive të mbrojtjes nga COVID 19

Nxënësit e shkollave fillore me arsimtarët e tyre dhe drejtoreshën e arsimit të komunës së Prishtinës,  vizituan Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik për të takuar epidemiologët dhe punëtorët shëndetësor në frontin e luftës me COVID-19.

Nxënësit shprehën mirënjohje për të githë punëtorët shëndetësor në ruajtjen e shëndetit të qytetarëve e në veçanti nxënësve në sigurimin e kushteve të shëndetshme në mbarëvajtjen e mësimit në shkolla prej fillimit të vitit të ri shkollor.