17:08 / E Mërkurë, 29 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Reagon ambasadori Graiçevci: Nuk kam thënë se mëkati ynë është se jemi konventuar në islam

Pas publikimit të lajmit në disa portale në Kosovë se ambasadori i Kosovës në Angli, Lirim Graiçevci në një intervistë dhënë gazetës “Huffington Post” ka thënë se “mëkati jonë është se jemi konventuar në islam”, ka ardhur reagimi i vet ambasadorit.

Ai thotë se kushto që e ka përkthyer kështu është një keqinterpretim.

Reagimin ambasadori Graiqevci e ka bërë nëpërmjet një statusi të postuar në llogarinë e tij në facebook:

Reagim lidhur me një fragment të intervistës sime, dhënë gazetës Huffington Post:

Lidhur me botimin e një fragmenti të intervistës sime, dhënë gazetës Huffington Post, i plasuar nga portale në Kosovë, po jap këtë sqarim:

Kushdo që e ka botuar fragmentin i pari nga portalet e lajmeve në Kosovë dhe i cili pastaj është ribotuar nga portale të tjera, ka bërë një keqpërkthim ose keqinterpretim, kinse unë kam deklaruar që “…mëkati ynë ishte se ne u bëmë pjesë e Perandorisë Osmane dhe u konvertuam në islam”.

Dëshiroj të sqaroj se këtë nuk e kam thënë unë, është nëntitull i përdorur nga redaksia e gazetës Huffington Post. Madje, edhe aty, fjala në anglisht për mëkat (“sin”) është i vendosur në thonjëza. Askund në tekstin e intervistës nuk mund të gjindet që këtë e kam thënë unë.

Për sqarim, po e postoj këtu, si foto, tekstin në anglisht ku përdoret fjala “mëkat”, në anglisht “sin” në nëntitull. Gjithashtu po e postoj edhe linkun e plotë të intervistës sime, të cilën nuk e kam parë para botimit. Kërkoj nga portalet të cilat e kanë plasuar fragmentin me pasaktësi në gjuhën shqipe, që ta përmirësojnë, për hir të korrektësisë publike dhe përgjegjësisë profesionale.

https://www.huffingtonpost.com/entry/kosovo-the-balkan-treasure-trove-of-humanity_us_5a1eb8d2e4b0e9a1b9c7b555