14:23 / E Enjte, 10 Tetor 2019 / indeksADMonline

Ambasadorja e Finlandës takohet me Albin Kurtin, e uron për rezultatin e 6 tetorit

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje  Albin Kurti, dhe Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë,  Kreshnik Ahmeti, pritën në takim Ambasadoren e Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall dhe këshilltaren në Ambasadën e Finlandës, Trinka Jusufi, raporton IndeksOnline.

Kjo është bërë e ditur në një njoftim për media nga LVV.

Në njoftim thuhet se Ambasadorja Stjernvall uroi kryetarin Kurti për rezultatin e arritur në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

Ajo po ashtu ka vlerësuar pozitivisht  procesin e rregullt zgjedhor, i cili u monitorua edhe nga vëzhguesit e Ambasadës së Finlandës në Kosovë, përcjellë IndeksOnline.

“Më tutje u diskutua nevoja që Qeveria e ardhshme të realizojë reforma në sektorë të ndryshëm të vendit, me theks të veçantë në sistemin arsimor. Në takim pati pajtueshmëri që përvojat dhe ekspertiza nga sistemi arsimor i Finlandës do ta ndihmonin reformën dhe përmirësimin cilësor të sistemit arsimor të Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo.

Kurti në këtë takim ka folur edhe për dialogun me Serbinë.

“Në lidhje me dialogun me Serbinë, Kryetari Kurti përsëriti qëndrimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! që për dialogun më e rëndësishme është përmbajtja, sesa afatet kohore, dhe tri parimet për të shëruar pasojat e qasjes së gabuar paraprake: jo marrëveshje pa dialog; jo dialog me harta; dhe, jo presidentët e shteteve mbi harta”, ka thënë ai./IndeksOnline/