17:19 / E Mërkurë, 03 Shkurt 2021 / Blerim

Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë në Presidencë, bën bashkë Ramën, Bashën dhe Metën

Ambasadorja e Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim ka mbledhur në Presidencë “kokat e shtetit”. Në një vizitë të paparalajmëruar më parë, Kim ndodhet në zyrën e kreut të shtetit Ilir Meta, e shoqëruar nga kryeministri Edi Rama dhe kryedemokrati Lulzim Basha.

Mësohet se bashkë me ta, në takim marrin pjesë edhe dy ministrat e kabinetit Rama, ai i Brendshëm, Bledi Çuçi dhe i Mbrojtjes, Niko Peleshi. Nuk dihet se çfarë po diskutohet mes tyre, pasi nuk ka asnjë njoftim zyrtar lidhur me takimin që po zhvillohet. Paraprakisht raportohet se takimi po zhvillohet lidhur me stërvitjen ushtarake që do të zhvillohet në Ballkan, ku në vendin tonë do të zbarkojnë të paktën 6 mijë trupa.(Shiko këtu)

Ndërkohë më larg se një ditë më parë, numri një i qeverisë Edi Rama pati një përplasje me ambasadoren Kim, lidhur me ligjin për dekriminalizimin. Kim prej kohësh kërkon nga krerët e partive që të zgjedhin kandidatë pa rekorde kriminale, ndërsa Rama iu përgjigj nga një konferencë për shtyp se të gjithë vetëdeklarohen dhe se partia nuk mban përgjegjësi. Ndër të tjera, Rama shtoi se ligji shkelte të drejtat e njeriut, pasi në botë problemet me ligjin përfundojnë për 5 vite. Ambasadorja reagoi sërish duke u shprehur se pastërtinë e kandidatëve nuk e kërkon Amerika por duhet të jetë standard për një vend si Shqipëria që kërkon të jetë pjesë e Bashkimit Europian.

Lidhur me këtë çështje, reagoi edhe kryedemokrati Lulzim Basha, i cili u shpreh se të gjithë e dinë se cila forcë politike ka futur “kriminelët” në Kuvend, duke nënkuptuar kundërshtarët e tij politikë.