23:02 / E Martë, 14 Gusht 2018 / indeksADMonline

Analistët flasin rreth përfshirjes së mundshme të partive në dialog

“Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate më së largu deri në shtator do të bëhen pjesë e dialogut Kosovë-Serbi dhe kështu bisedimet do të bëhen të kalueshme në Kuvendin e Kosovës”. Kështu të paktën thotë për Indeksonline politologu Donik Sallova.

Ai beson se përfshirja e LDK-së në ekipin dialogues është vetëm çështje kohe, sepse partia e Isa Mustafës historikisht ka qenë pjesë e negociatave.

“Është parti e negociatave, ndaj besoj qe shtatori do të përfshijë edhe LDK-në në dialog. Po kështu mendoj edhe për PSD-në, copëzën e shkëputur nga VV-je. Ata janë në kërkim të faktorizimit politik, andaj mendoj se duke u përfshirë në ekipin negociator duan ta rrisin relevancën e tyre politike”, është shprehur Sallova.

Pjesë e dialogut sipas politologut nuk do të jetë edhe Lëvizja Vetëvendosje.

“Nuk besoj qe Vetëvendosja do behët pjesë e negociatave, për ta marrë përgjegjësinë e përfundimeve për të cilat ajo historikisht ka qenë kundërshtare. Përfaqësimi i LDK-së e PSD-së në negociata do ta bëjë të kalueshme në Kuvendin e Kosovës çfarëdo rezultati qe do dalë nga bisedimet”, ka theksuar Sallova.

Kurse sociologu njëherësh edhe profesor në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Fadil Maloku për Indeksonline është shprehur se në të gjitha vendet që e quajnë vetën shtete, çështjet e rëndësisë kombëtare e shtetërore konsultohen me të gjithë.

Sipas tij, vetëm në Kosova është duke u sjellë me komoditet i pajustifikueshëm.

“Ne krejt vendet qe e quajnë vetën si shtet, është praktikë që për çështjet e rëndësisë kombëtare dhe shtetërore, të konsultohen, të ofrohen, si ekspertët nga superstruktura ideore, ashtu edhe ajo juridiko-politike, pastaj shoqëria civile, Akademia, Universiteti, etj. Këtë çështje, Serbia e dijmë të gjithë e ka bërë. Vetëm Kosova, është duke u sjellë me komoditet të pajustifikueshëm!? Këtë “bajrak” (jokompetitiv!) e ka marrë i gjithëdijshëm President Thaçi, që është një presedan i llojit të vet, kur kihet parasysh qe ai nuk ka as kompetenca kushtetuese, e as legjitimitet e mandat te publikut të gjerë…Edhe për shkak se Kosova, nuk është Republikë presidenciale, por parlamentare”, ka thënë Maloku.

Ai thotë se edhe nëse ndonjë nga partitë merr pjesë në dialog, ato mund të jenë militant partiak.
“Meqë, krejt projekti i bisedimeve me Serbinë, është fund e krye e mbrapsht, nuk e besoj qe ndokush nga këto komunitete të lartcekura do pranoj të marrë pjesë…Por, edhe nëse merr pjesë ndonjë nga këto komunitete, me siguri ose do jenë militant partiak, ose konjuktura poltroniste e konformiste të elitës aktuale politike”, ka shtuar Maloku.

Partitë politike deri tani kanë kundërshtuar që Thaçi të udhëheq bisedimet me Serbinë. Ato janë shprehur se kreu i shtetit nuk po e luan rolin unifikues të spektrit politik./Indeksonline/