21:11 / E Mërkurë, 22 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Analistët: PDK-së i duhen ndryshime rrënjësore nëse do rimëkëmbje!

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) po del të jetë humbësja më e madhe në zgjedhjet për qeverisje lokale. Kjo nga analistët po shihet si arsyeja kryesore pse PDK-ja ka shpallur zgjedhjet e brendshme partiake.

Analisti Imer Mushkolaj ka thënë për “Indeksonline” se marrë parasysh rezultatin e zgjedhjeve lokale, PDK-ja ka nevojë për reforma thelbësore.

Megjithatë, ai është shprehur pesimist sa i përket largimit të Kadri Veselit si kryetar i kësaj partie.

“Humbësja më e madhe e zgjedhjeve ka dalë të jetë PDK. Kësaj partie i nevojiten reforma të brendshme dhe mbase pikënisje është procesi zgjedhor brendapartiak i paralajmëruar tashmë. Por, reforma duhet të jetë thelbësore, e jo sipërfaqësore. Se a do të ketë ndryshim në udhëheqjen e partisë, varet nga anëtarësia, megjithëse unë nuk besoj se kjo mund të ndodh”, ka thënë Mushkolaj.

Se PDK-së i duhet rimëkëmbje, e thotë edhe njohësi i çështjeve politike, Bajrush Morina. Sipas tij, ndryshimet duhet të jenë rrënjësore edhe sa i përket lidershipit të partisë.

Ai ka deklaruar për “Indeksonline” se me Veselin në krye të PDK-së, kjo parti mund të përfundojë në nivelin e AKR-së së Behgjet Pacollit.

“Në zgjedhjet e fundit lokale (jo vetëm të balotazhit) pati disa fitues, e manipulues por pati një humbës të madh. Ajo është PDK-ja. Këtë humbje PDK-së ia shkaktuan që të gjitha partitë politike. VV-ja ia mori “Jerusalemin” në Prizren, AAK-ja “zemrën e Dukagjinit” në Rahovec e Klinë, LDK-ja ia rrëmbeu “krenarinë” e Drenicës, Vushtrinë, Nisma e “shkeli” prapë në Malishevë e AKR-ja e deklasoi edhe “vendlindjen” e liderit të PDK-së, Mitrovicën. PDK duhet të bëjë reforma të thella, nëse do rimëkëmbje. Ndryshe me Kadri Veselin do të përfundojë në nivelin e AKR-së së Behgjet Pacollit”, ka thënë Morina.

Ndryshe, PDK një ditë pas zgjedhjeve të balotazhit ka shpallur zgjedhjet e brendshme. Nënkryetari i kësaj partie, Xhavit Haliti dje i ka thënë “Indeksonline” se këto zgjedhje ishin paralajmëruar para disa muajve, porse ka shtuar se temë diskutimi do të jetë edhe rezultati i zgjedhjeve lokale./Indeksonline/