09:15 / E Mërkurë, 04 Janar 2023 / B O

Ancelotti: Kështu nuk luhet, ky nuk është futboll

Mbrëmjen e djeshme, Real Madrid fitoi 1-0 në fushën e Cacereno, një ekipi modest që luan në kategorinë e katërt në Spanjë.

Ndeshja ishte e vleëfshme për 1/16 e Kupës së Mbretit dhe për kampionët e Evropës dhe Spanjës në fuqi u zgjidh nga një gol i Rodrygos, në pjesën e dytë.

Pas ndeshjes, trajneri i Realit, Carlo Ancelotti, tha se në një fushë si ajo e Cacerenos, vetëm futboll nuk mund të luhej.

“Ishte një ndeshje e barabartë, shumë e luftuar, me shumë topa të gjatë. Nuk mund të luhej ndryshe. Ekipi bëri detyrën, jam i kënaqur sepse ishte një ndeshje që nuk jemi mësuar ta luajmë. Cilësitë tona nuk u panë sepse në një terren të tillë nuk mund të luash me topin e ulët. Nuk luhet në një fushë si kjo. Për mua, nuk është futboll, është sport tjetër. Kupa ka bukurinë e saj sepse ekipet e vogla mund të luajnë ndaj atyre të mëdha, është mirë edhe për tifozët e këtyre skuadrave, por këta tifozë duan edhe të shikojnë ndeshje të bukura futbolli”, tha trajneri italian pas ndeshjes.