23:02 / E Mërkurë, 26 Shtator 2018 / indeksADMonline

Andorra mbështetëse e Kosovës në rrugën e integrimeve të saja ndërkombëtare

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në kuadër të vizitës zyrtare në ShBA, ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Andorra-s, Antoni Martí Petit.

Në këtë takim, kryeministri Haradinaj e ka njoftuar kryeministrin Petit, për zhvillimet politike dhe ekonomike në Republikën e Kosovës, duke thënë se Qeveria e Kosovës me përkushtim është duke punuar në rritjen e zhvillimit ekonomik, bashkëpunimet rajonale dhe integrimet euroatlantike, që do t’i hapnin rrugë anëtarësimit të saj në BE, NATO dhe OKB.

“Jemi duke punuar në krijimin e një klime sa më të favorshme biznesore në Republikën e Kosovës, kemi krijuar zona të lira ekonomike për lehtësimin e zhvillimit të veprimtarisë ekonomike dhe të ndërmarrësisë në Kosovë”, tha kryeministri Haradinaj, duke kërkuar nga kryeministri Petit rritjen e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve në fusha të interesit të përbashkët.

Më tej, kryeministri Haradinaj ka thënë se shpallja e pavarësisë së Kosovës ka krijuar stabilitet politik në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ndërsa tani po punojmë me partnerët dhe miqtë ndërkombëtarë në fuqizimin e shtetësisë përmes anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, me theks të veçantë, anëtarësimin në Interpol.

Kryeministri i Andorra-s, Antoni Martí Petit, ka përgëzuar kryeministrin Haradinaj për të arriturat e Kosovës në të gjitha fushat, duke thënë se Andorra do të jetë mbështetëse e saj në rrugën e integrimeve dhe në fuqizimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar.