Andzrej Duda rizgjedhet president i Polonisë

Andzrej Sebastian Duda është rizgjedhur për një mandat tjetër në drejtim të Polonisë.
Kandidati konservator triumfoi me një diferencë tepër të ngushtë ndaj rivalit, Rafal Trzaskowski, në zgjedhjet presidenciale të së dielës. Me vetëm 51.2% të votave, Duda mori fitoren më të ngushtë në histori, që prej rënies së komunizmit në vitin 1989.
Një ndër çështjet kryesore të këtyre zgjedhjeve ishte e ardhmja e marrëdhënieve të tensionuara me Bashkimin Europian. Duda pritet që të çojë më tej reformat kontroverse në sistemin e drejtësisë si dhe do të vazhdojë të kundërshtojë abortin dhe të drejtat e komunitetit LGBT.
Qëndrimet e presidentit konservator janë kundërshtuar dhe kritikuar shpesh nga organizatat për të drejtat e njeriut dhe Bashkimi Europian.
Gjatë fushatës, Duda tha se të drejtat e komunitetit LGBT ishin një ideologji më shkatërruese se komunizmi.