17:19 / E Martë, 10 Tetor 2017 / indeksADMonline

Anëtari i PDK-së paralajmëron nxjerrjen e “fakteve inkriminuese” për bashkëpartiakun

Kryesuesi i Kuvendit në komunën e Drenasit, Naim Bazaj ka paralajmëruar se do të bëj publike disa fakte për kryetarin aktual të komunës, Ramiz Lladrovci. Bazaj, në një prononcim për “Indeksonline”, tha se kundërshtari i tij ka kërcënuar haptas presidentin e shtetit, Hashim Thaçin dhe kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin.

Bazaj thotë se kryetar i Drenasit ka ardhur nga Shqipëri me një qëllim për ta shkatërruar subjektin të cilin e udhëheq Veseli. Tutje, ai kërkon nga gjitha subjektet politike dhe banorët e Drenasit që mos ta votojnë “këtë mashtrues ordiner”.  Ai shprehet i bindur se “Nisma” do ta merr komunën me mbështetjen e anëtarëve dhe kryesisë së PDK-së.

“Lladrovci ka ardhur me një vizion me përça partinë në Drenas. Ai është i mësuar me këso far kërcënimesh e shantazhe sikurse ia ka bërë Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Por unë nesër apo pasnesër do t’ia ofrojë këto dëshmi që i kam në dorë edhe unë. Ky pati shantazhu Thaçin e Veselit një “çantë të zezë” prej Shqipërie lidhur me disa vrasje dhe disa gjëra të tjera”, ka thënë ai.

Njëri prej njerëzve më të fuqishëm të PDK-së në Drenas, Naim Bazaj ka folur edhe rreth incidentit të mbrëmshëm të sulmit ndaj veturës së Lladrovcit në fshatin Terstenik.

“Unë muj me thënë që kam qëllu aty, por aty kanë qenë rreth 200 veta në shenjë proteste sepse i ka ofenduar qytetarët në fshat. Na e kemi përzan ata dhe ai po mendon se është bo dikush dhe po pretendon se bëhet përsëri kryetar, le ta harron këta. Disa prej tyre që po i shohim në disa oda po ofrohen të njëjtit njerëz. Nuk është e vërtetë qe e kanë sulmu, por kanë shpreh pakënaqësi. Por nuk është e moralshme me shpif e me rrejt por tash e pas i them haptas: Ku takohem, takohem e i qërojmë hesapet”, ka thënë ai, duke shtuar se  Lladrovci po bën shpifje nëpër fshat.

“Kush është ai që me na thënë neve “që me lyp azil, e jo me nejt ksajde më”, kush është ai?”, ka thënë në fund Bazaj./Indeksonline