75 Mall Live Search
12:26 / E Shtunë, 27 Qershor 2026 / A

Gjermania goditet nga temperatura rekord

Pas një valë e të nxehtit, e lidhur me dhjetëra vdekje në Evropën Perëndimore, pritet të zhvendoset drejt lindjes, pasi temperaturat thyen rekord duke kaluar mbi 40 gradë Celsius.

Britania, Franca, Zvicra dhe Gjermania kanë përjetuar temperatura rekord gjatë muajit qershor, ndërsa sistemi i motit mund të vendosë rekorde të tjera teksa kalon nga Gjermania drejt Polonisë.

Hitze live: In Bad Bergzabern war es nachts wieder am wärmsten | STERN.de

Të premten, pranë qytetit Zarbruken, afër kufirit me Francën, u regjistrua një rekord i ri kombëtar prej 41.3 gradë Celsius, tha një zëdhënës i Shërbimit Kombëtar Meteorologjik të Gjermanisë, duke theksuar se matja ishte fillestare.

Thirrje për kursimin e ujit

Shërbimi meteorologjik lëshoi paralajmërime për nxehtësi ekstreme pothuajse në gjithë Gjermaninë të shtunën, ndërsa autoritetet u kërkuan qytetarëve ta kursejnë ujin.

Në Francë, dhjetëra persona, të rinj e të moshuar, kanë humbur jetën gjatë valës së të nxehtit.

Temperaturat mbi 40 gradë Celsius kanë shkaktuar ndërprerje në transportin hekurudhor dhe prodhimin e energjisë elektrike, kanë çuar në ndalimin e konsumit të alkoolit në disa zona, pezullimin e mësimit në shkolla dhe shtyrjen e aktiviteteve në natyrë.

“Vala e të nxehtit do të arrijë kulmin gjatë fundjavës, me temperatura shumë mbi 40 gradë në disa pjesë të Gjermanisë”, tha Karsten Brandt, meteorolog në faqen e parashikimeve të motit Donnerwetter.de.

Organizatorët e Kampionatit Evropian Ironman në Frankfurt njoftuan se garat e çiklizmit dhe vrapimit, që zhvillohen të dielën, do të shkurtohen për shkak të temperaturave të larta.

Përballë rrezikut të dëmtimeve në infrastrukturë, si deformimi i rrugëve dhe zgjerimi i shinave të trenit, disa ofrues të mëdhenj të shërbimeve publike kanë ndërmarrë masa për ta kufizuar trafikun.

Andre Berghegger, drejtori ekzekutiv i Shoqatës Gjermane të Qyteteve dhe Komunave, u bëri thirrje qytetarëve ta përdorin ujin me kursim për shkak të valës së të nxehtit.

“Duhet të mbështetemi sa më gjatë të jetë e mundur te bashkëpunimi vullnetar; autoritetet lokale duhet të vendosin ndalime vetëm nëse kjo nuk funksionon”, tha ai për gazetën Neue Osnabrücker Zeitung.

Valë e të nxehtit ekstrem mbërthen qytetet e Evropës

Parashikohet që temperaturat më ekstreme të fillojnë të bien gjatë fundjavës, ndërsa të dielën priten stuhi të forta.

Në mbarë Evropën, monumente kulturore janë detyruar të mbyllen, bujqësia ka pësuar dëme dhe disa spitale kanë hasur në vështirësi për ta përballuar fluksin e pacientëve.

Sipas Reuters Climate Monitor, vala e të nxehtit ka rritur temperaturat deri në 18 gradë mbi mesataren sezonale dhe po nxitet nga një fenomen atmosferik i njohur si “Omega block”.

Ky model atmosferik bllokon një masë të madhe ajri të nxehtë mbi një rajon për periudha të gjata, ndërsa ajri më i freskët mbetet në skajet e saj.

Kërkesat për freskuese elektrike është rritur ndjeshëm dhe prodhuesit aziatikë të pajisjeve të ajrit të kondicionuar kanë raportuar për një rritje të madhe të shitjeve në Evropë.

Shumica e banesave në Evropën Veriore janë ndërtuar për të ruajtur nxehtësinë gjatë dimrit, dhe jo për të mbajtur ambientet të freskëta gjatë verës.

Organizata Botërore Meteorologjike njoftoi se kjo valë e të nxehtit do të fillojë të zhvendoset në fund të muajit, duke prekur Evropën Qendrore dhe Ballkanin.

Shkencëtarët thonë se kjo valë e të nxehtit do të kishte qenë praktikisht e pamundur pa ndryshimet klimatike të shkaktuara nga dora e njeriut./REL/