Ankesa për kundërmim të toaleteve në shkollën “Ismail Qemali”, flet drejtoresha e shkollës
Përveç infrastrukturës së vjetër , Shkolla “Ismail Qemali”, në Prishtinë ballafaqohet dhe me kundërmim të toaleteve. E nxënësit dhe prindërit janë në hall. Ata duhet të kujdesen që fëmijet nevojat t’i kryejnë para se të shkojnë në shkollë, me qëllim që sa më pak t’i përdorin toaletet e shkollës, të cilat kundërmojnë.
Disa nga prindërit të cilët i kanë fëmijët në këtë shkollë, kanë pohuar se duke e parë gjendjen në toaletet e shkollës, mësueset janë detyruar që t’u thonë atyre që të flasin me fëmijet, që mundësisht sa më pak t’i perdorin toaletet, pasi që herë pas herë kanë një aromë shumë të pakëndshme.
Megjithëse u ankuan, prindërit nuk pranuan të flasin para kamerave. Megjithatë prapa kamerave pohuan se kjo shkollë që një kohë të gjatë po përballet me një kundermim nga toaletet.
“ Unë e kam vajzën në këtë shkollë. Është tmerr qysh vjen era nganjeherë. Dhe vajza ime shpesh me tregon se nuk mund të shkoj në toalet, për shkak të erës që kundërmon. E këtë problem e kemi diskutuar me mësuesen e cila ka kërkuar nga ne, që fëmijeve të iu flasim që mundësisht të mos I vizitojnë WC e shkollës, për shkak të gjendjes së tyre. Dhe se problemi me gjendjen e WC- ve në këtë shkollë diskutohet që tri vjet radhazi, mes prindërve dhe mësueseve”, tha njëri nga prindërit e kësaj shkolle.
Por drejtoresha e Shkollës “Ismail Qemali” Mimoza Krasniqi megjithëse thotë se problemi me kundërmim të toaleteve është zgjidhur, prapë pranon se shkolla përballet herë pas here me këtë problem.
Krasniqi për “Indeksonline” thotë se shkolla ka pak banjo, krahasuar me numrin e nxënësve që ka.
“Sa i përket erës dhe pastrimit, më herët kemi pasur telashe se kemi pasur mungesë të puntorëve teknik…. Kohëve të fundit shkolla e ka zgjidh problemin dhe kemi puntorët teknik, jemi kompletu……2 mijë e 988 nxënës janë në shkollë 1 mijë e 700 janë në ndrrimin a pasditës, 1300 janë në ndrimin e paraditës, do të thotë shfrytëzohen këto banjo që i kemi. Ka numër me të madh të nxënësve se sa kemi banjo. Ka mundësi që mundet me konderrmu ndonjëherë erë. Por ajo erë është derisa të ndërrohet, se pa dal fëmijet ne nuk mund ta bëjmë dezinfektimin dhe pastrimin. Momenti i pastrimit të banjove bëhet në ora 12.30 deri në orën 1”, thotë Krasniqi.
Ndërsa thotë se për menjanimin e erës , duhen të ndërrohen edhe disa gypa të ajrosjes.
“Ngarkesa shumë e madhe që ka shkolla nuk mundet me qenë qind për qind, qysh kanë kërku me siguri prindërit. Kjo është ajo që i kemi ne si shkollë, për shkak të mbingarkesës që ka shkolla. Ne jemi në bashkëpunim me Ndërmarrjen Banesore, i kemi dërgu disa foto dëshmi të toaleteve ku kemi nevojë me ndërhy, ata diçka kanë punuar javen e kaluar. Janë rregulluar dyert, kanë qenë shumë urgjente. ..Jemi në pritje dhe disa pika në banjo , janë disa shole, që kanë nevojë me u ndrru dhe do gypa të ajrosjes me u vendos. Besoj që shumë shpejtë ka me u kry. Jemi në bashkëpunim me Ndërmarrjen Banesore. I kemi dërgu kërkesat në Drejtori të Arsimit dhe Ndermarjen Banesore. Besoj që shumë shpejtë ka me u menjanu dhe problemi i erës. Ata na thanë se nuk është papastërtia, por janë do lloje të gypave që duhet me u vendos. E kemi diskutuar këtë problem. Ne të prindërit nuk mujna me bo publike në Facebook se kjo është duke u bërë. Por jemi duke u munduar ta menjanojmë”, thotë Krasniqi.
Ndërsa thotë se janë duke e parë mundësinë e shtimit të numrit të banjove në objektin e shkollës “Ismail Qemali”.
“ Jemi në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit me i shtu dhe dy banjo..Kjo pjesa që e kemi si hapësirë me i shtu dhe dy banjo poshtë dhe dy banjo tjera nalt, për me pas mundësi që krejt fëmijet me i shfrytëzu ato banjo. Se numri i madh i nxënësve, për banjot që i kemi janë pak. Se i frekuentojnë 1700 fëmijë”, tha Krasniqi./Indeksonline/