12:02 / E Premte, 04 Dhjetor 2020 / k.v

Ankohen avokatët e të akuzuarve për vrasjen e Ivanoviqit: Gjykatësi e prokurori të papërgjegjshëm

Avokatët e të akuzuarve për vrasjen e Oliver Ivanoviqit po ankohen që për çështje procedurale klientët e tyre po vazhdojnë të jenë në paraburgim.

Pas seancës fillestare, e cila u shty për 11 të këtij muaji, Tomë Gashi, avokat i Rade Basara ka thënë se aktakuza është ngritur para një viti dhe se klientëve të tyre po u shkelen të drejtat.

“Ajo që është e dëmshme është se klienti im është më tepër se një vit në paraburgim dhe Prokuroria… dhe Gjykata… është dashur që ta vërente se ka pasur shkelje procedurale dhe nuk duhet lejuar që një avokat të mbrojë dy të dyshuar, kurse ideja ime ka qenë që Gjykata… të vendosë nëse mund ta kalojë këtë në mënyrë të ligjshme, që në ardhmen të mos kemi probleme procedurale”.

Mahmut Halimi, avokat mbrojtës i Marko Roshiqit, tha se ky gjykim është duke përcjell me shkelje pas shkelje.

“Nuk është duke u parë ligjshmëri dhe respektim të drejtave të klientëve tanë. Kjo aktakuzë është ngritur vitin e kaluar dhe prej atëherë kjo aktakuzë pëson ndryshime për ta ofruar ndonjë provë shtesë”.

“Në këtë rast jemi të shqetësuar se Gjykata… dhe Prokuroria… nuk e kanë kontrolluar veprimin e një avokati në raport me klientin. Klienti im ndodhet qe 2 vjet në paraburgim. Ku është drejtësia dhe jam i shqetësuar për të gjitha këto veprime”.

Avokati mbrojtës i sekretares së Partisë Politike SDP, Silvana Arsoviq, Musa Damati, ka thënë se nuk është në interesin e drejtësisë dhe imazhin e Kosovës shtyrja e seancave të tilla.

“Kjo është aktakuza e tretë dhe është e pa precedent në Kosovë që për një rast të tillë penal të ngrihen tri aktakuza. Tani kemi një formë tjetër të bashkëpunimit kriminal”.

“Lidhur me shtyrjen e seancës nuk konsiderohet në interesin drejtësisë që përbëjnë shtyllat më të lartë në rastin e gjykimit të Oliver Ivanoviq”.

Seanca për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, është shtyrë pasi nuk është qartësuar prej avokatëve mbrojtës se kush e përfaqëson të akuzuarin Rade Basara. Seanca e radhës do të mbahet më 11 dhjetor në orën 13:00.