75 Mall Live Search
23:39 / E Premte, 26 Qershor 2026 / MSH1

Anulohet tenderi për renovimin e Pavijonit 2 në Burgun e Dubravës, kjo është arsyeja

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka anuluar procedurën e prokurimit për projektin “Renovimi i brendshëm i Pavijonit 2 në Qendrën Korrektuese në Dubravë”.

Vendimi për anulimin është marrë më 25 qershor, raporton IndeksOnline.

Sipas njoftimit zyrtar, projekti ishte planifikuar të realizohej përmes procedurës së hapur, ndërsa kontrata do t’i jepej operatorit ekonomik që do të ofronte çmimin më të ulët.

Aktiviteti i prokurimit ishte publikuar më 11 maj.

Megjithëse në proces janë pranuar katër tenderë, autoriteti kontraktues ka vendosur ta anulojë procedurën, duke u bazuar në dispozitat e Ligjit për Prokurimin Publik që kërkojnë anulimin e aktivitetit.

Në sqarimin shtesë thuhet se asnjë nga ofertat e pranuara nuk është vlerësuar si ofertë e përgjegjshme, çka ka bërë të pamundur vazhdimin e procedurës dhe dhënien e kontratës.

Projekti kishte për qëllim renovimin e brendshëm të Pavijonit 2, ndërsa në njoftimin për anulim nuk specifikohet nëse Shërbimi Korrektues i Kosovës do ta rishpallë këtë aktivitet në një fazë të mëvonshme.