10:31 / E Diele, 18 Nëntor 2018 / indeksADMonline

AP e INTERPOL-it fillon punimet, votohet për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë

Ka filluar punë Asambleja e Përgjithshme e INTERPOL-it në Dubai, ku edhe pritet të votohet për athtësimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare të Policisë.

Në këtë asamble e cila do të zgjasë deri më 21 nëntor, shtetet anëtare të INTERPOL-it do të vendosin nëse Kosova do të bëhet anëtare e saj me të drejta të plota.

Ndryshe, krerët më të lartë të vendit kanë bërë disa herë thirrje tek vendet anëtare të kësaj organizate që të votojnë pro anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL, duke thënë se kjo do t’i shërbente paqes dhe sigurisë në vend dhe rajon dhe më tej.

Ministria e Punëve të Jashtme dy ditë më parë ka ritheksuar qëndrimin e saj zyrtare se procesi i anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Interpol i kontribuon fuqishëm rritjes së efikasitetit fqinjësor.

“Ministria e Punëve të Jashtme përmes një njoftimi për media ka ri-theksuar qëndrimin e saj zyrtarë se procesi i anëtarësimit të Republikës së Kosovës në INTERPOL i kontribuon fuqishëm rritjes së efikasitetit të bashkëpunimit fqinjësor, rajonal dhe ndërkombëtar në parandalimin dhe luftimin e krimit-transnacional dhe paralelisht me këtë ndihmon në forcimin e sigurisë dhe ruajtjen e rendit ndërkombëtarë”, është thënë në njoftimin e tyre.

Ndryshe, sot pritet të zgjidhet presidenti i ri i INTERPOL-it me mandat një vjeçar. Kjo pasi ish-lideri i agjencisë u ndalua në Kinë. Meng Hongëei, që ishte zëvendësministër i Sigurisë Publike në Kinë derisa po e drejtonte edhe Interpol-in, u zhduk derisa ishte në një udhëtim në Kinë gjatë muajit shtator. Më vonë doli se ai ishte ndaluar si pjesë e një spastrimi të gjerë anti-korrupsion./Indeksonline/