14:00 / E Premte, 27 Nëntor 2020 / OSH

Apeli vërteton pafajësinë e të akuzuarit për vrasjen e Shani e Bahri Malokut

Gjykata e Apelit e ka shpallur të pafajshëm Besim Malokun, të akuzuar për vrasjen e Shani dhe Bahri Malokut në mars të 2018-s.

Besim Malokut i është vërtetuar aktgjykimi i shkallës së parë, i cili e liron atë nga vepra penale “Vrasje e rëndë”.

Komunikata e plotë:

Departamenti i krimeve të rënda i Gjykatës së Apelit, e ka refuzuar si të pa bazuar ankesën e prokurorisë, në rastin e të akuzuarit B.M. Aktgjykimi lirues i Gjykatës Themelore në Gjakovë, sa i përket veprës penale veprën penale:  “Vrasje e rëndë”  nga neni 179 i  Kodit Penal të Kosovës, është vërtetuar.  Pjesa e aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë që ka të bëjë me të  akuzuarit B. M.  dhe Be.M., për veprën penale (secili veç e veç)  “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”  nga neni 374 i  KPRK-së, ka mbetur e paprekur. Ndërsa ankesa e përfaqësueses së autorizuar  të palës së dëmtuar,  është hedhur si e palejuar.

Gjykata e Apelit ka gjetur se aktgjykimi i atakuar me ankesë, nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, se gjendja faktike është vërtetuar drejtë dhe në mënyrë të plotë dhe se drejtë po ashtu janë aplikuar dispozitat e të drejtës materiale.

Sa i përket ankesës se palës së dëmtuar, gjykata gjeti se ajo është e palejuar,  ngase sipas dispozitave të KPP-së, i dëmtuari mund të paraqesë ankesë lidhur me sanksionin penal, vetëm për kapituj të caktuar  të KPRK-së.