13:49 / E Enjte, 26 Nëntor 2020 / OSH

Apeli vërteton vendimin e Themelores për shtyrjen e kthimit në punë të Basri Sejdiut

Gjykata Apelit në Kosovë e ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore për shtyrjen e kthimit në punë të Basri Sejdiut, ish-drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar në Kosovë (SHSKUK).

Në aktvendimin e Apelit janë vlerësuar të pabazuara ankesat e Inspektoratit të Punës dhe të Sejdiut për kthimin e tij në pozitën e drejtorit të SHSKUK-së.

“Refuzohen të pabazuara, ankesa e paditurës-kundërpropozueses Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale – Inspektorati i Punës, i 02.11.2020 dhe ankesa e palës së interesuar Basri Sejdiu, i 05.11.2020, ndërsa aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për çështje administrative, A.nr.1690/2020, i 14.10.2020, vërtetohet”, thuhet në aktvendimin e Apelit.

Sejdiu ishte shkarkuar nga pozita e tij nga Bordi i SHSKUK-së duke u thënë për të se kishte performancë të dobët. Ai më vonë ishte ankuar në Inspektoratin e Punës, i cili kishte vendosur për kthimin e tij në detyrë.