11:01 / E Diele, 19 Maj 2019 / indeksADMonline

Apostolova në Veri: Shpresoj që asnjëri kandidatë të mos japë dorëheqje

Shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka arritur në shkollën Sveti Sava, për të vëzhguar nga afër procesin e votimit.

Apostolova ka thënë se zgjedhjet në Veri janë shumë të rëndësishme për Kosovën.

Ajo tha se ka vërejtur një proces të mirë por ka dhënë vërejtje rreth listave të votimit.

Apostolova tha më tej se shpreson që asnjëri nga kryetarët që do të zgjidhet nuk do të japë dorëheqje ashtu siç ka ndodhur herën e kaluar, për shkak që Bashkimi Evropian ka shumë fonde për të dhënë për gjithë Kosovën dhe natyrisht edhe për Veriun.

Në katër komunat e veriut të Mitrovicës, po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme ku të drejtë vote kanë 57.983 persona në 87 vendvotime, apo 970 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017.

Zgjedhjet po mbahen në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore, pas dorëheqjes së kryetarëve atje shkaku i taksës prej 100 përqind ndaj produkteve me origjinë nga Serbia.

Për zgjedhjet në veri garojnë 12 kandidatë nga Partia Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe.