09:00 / E Shtunë, 01 Shkurt 2020

Apple do t’i mbyllë të gjitha dyqanet në Kinë shkaku i virusit

Prodhuesi amerikan i telefonave të mençur dhe pajisjeve të tjera teknologjike, Apple, ka njoftuar se ka marrë vendim për mbylljen e të gjitha dyqaneve zyrtare në Kinë deri më 9 shkurt për shkak të përhapjes së koronavirusit.

Ky vendim erdhi në kohën kur virusi i ri është përhapur në të gjitha provincat e Kinës dhe numri i të vdekurve dhe të infektuarve po vazhdon të rritet me shpejtësi të madhe.

Zyrtarët e kësaj kompanie nuk kanë pranuar të japin hollësi rreth këtij vendimi, shkruan “Reuters”.

Ndryshe, zyrtarët kinezë njoftuan të shtunën se numri i viktimave tashmë ka shkuar në 259 dhe kjo shifër pritet të rritet ditëve në vijim.

Edhe numri i personave të infektuar po vazhdon të rritet, pavarësisht masave të rrepta të udhëtimit që janë marrë në shumë qytete kineze, sidomos në provincën Hubei, ku janë regjistruar më së shumti raste.

Shtetet e Bashkuara morën vendim për ndalimin e hyrjes së të huajve që kanë qenë kohëve të fundit në Kinë si pjesë e përpjekjeve për parandalimin e përhapjes së mëtejme të virusit të rrezikshëm.