75 Mall Live Search
19:10 / E Martë, 08 Korrik 2025 / MSH

Arabia Saudite kryen një numër të lartë ekzekutimesh për krime droge

Arabia Saudite ka ekzekutuar një numër alarmues personash gjatë dekadës së fundit për vepra të lidhura me trafikimin e drogës, shumica prej tyre shtetas të huaj, sipas një raporti të publikuar nga organizata Amnesty International.

Sipas të dhënave të organizatës, nga viti 2014 deri më sot janë ekzekutuar afro 600 persona për krime që lidhen me drogën. Tre të katërtat e tyre janë shtetas nga vende si Pakistani, Siria, Jemeni, Nigeria dhe Egjipti. Pas një ndalese të përkohshme të ekzekutimeve gjatë viteve 2021–2022, Arabia Saudite ka rifilluar zbatimin e dënimit me vdekje me ritme rekord. Vetëm në vitin 2024 janë regjistruar 122 ekzekutime, ndërsa deri në fund të muajit të kaluar janë shënuar edhe 118 raste të tjera.

Në raport, Amnesty ngrit shqetësimin për mungesën e transparencës dhe proceset gjyqësore të cilësuara si “jashtëzakonisht të padrejta”. Organizata flet për një “mosrespekt të frikshëm për jetën njerëzore”, duke parashikuar që numri i ekzekutimeve mund të vijë në rritje.

“Po përjetojmë një valë tmerruese ekzekutimesh, ku shtetas të huaj ndëshkohen në mënyrë disproporcionale për vepra që nuk duhet të sillnin dënim me vdekje,” u shpreh Dana Ahmed, hulumtuese për Lindjen e Mesme pranë Amnesty-së.

Sipas organizatës, shumë nga të dënuarit janë migrantë ekonomikë të mashtruar apo të shfrytëzuar gjatë përpjekjeve për të siguruar të ardhura. Të rekrutuar me premtime për pagesa të vogla, ata janë përfshirë në rrjetet e trafikut të drogës pa qenë plotësisht të vetëdijshëm për pasojat ligjore në një vend si Arabia Saudite.

Një nga rastet që ka ngritur më shumë shqetësim përfshin tetë persona – shtatë nga Etiopia dhe një nga Somalia – të cilët janë në pritje të ekzekutimit për trafikimin e 153 kilogramëve kanabis, me një vlerë rreth 3.8 milionë dollarë. Sipas dëshmive në dosjet gjyqësore, secilit prej tyre iu premtua një shpërblim prej vetëm 267 dollarësh.

Amnesty thekson se pjesa më e madhe e të huajve të dënuar me vdekje vijnë nga sfond arsimor dhe ekonomik i dobët, duke i bërë ata të pambrojtur dhe të pafuqishëm përballë sistemit penal saudit. Ata shpesh nuk kanë akses në përfaqësim ligjor adekuat, nuk marrin ndihmë nga përfaqësitë e vendeve të tyre dhe hasin pengesa gjuhësore për shkak të mungesës së përkthimit të saktë në gjykata.

Organizata dokumenton gjithashtu raste të torturave dhe trajtimeve çnjerëzore gjatë paraburgimit, të përdorura për të nxjerrë rrëfime të detyruara. Në të paktën katër raste, të dënuarit nuk janë informuar për statusin e apelimeve dhe kanë marrë vesh për datën e ekzekutimit vetëm një ditë përpara se të ndodhte.

Zëvendësdrejtoresha e Amnesty International për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, Kristine Beckerle, u bëri thirrje vendeve partnere të Arabisë Saudite të ndërhyjnë urgjentisht: “Dënimi me vdekje është ndëshkimi më mizor, çnjerëzor dhe degradues. Partnerët ndërkombëtarë të Arabisë Saudite duhet të ushtrojnë presion për të ndalur këtë cikël ekzekutimesh dhe për të siguruar respektimin e detyrimeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.”

Organizata thotë se ka kontaktuar autoritetet saudite për të marrë një reagim zyrtar, por deri tani nuk ka pasur asnjë përgjigje.