15:51 / E Hënë, 30 Nëntor 2020 / k.v

Arben Gashi tregon arsyen e humbjes së LDK-së në Podujevë

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka folur pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë së partisë. Ai ka thënë se rezultati i zgjedhjeve të djeshme në Podujevë është rezultat i gjendjes së shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“LDK në strukturën e saj ka pas dy kandidatë dhe kjo ka ndikuar me pas pakënaqësi te elektorati. Në zgjedhjet e ardhshme vitin e ardhshëm do të përgatitemi”, ka thënë Gashi.

I pyetur për mundësinë e zgjedhjes së presidentit të ri, ai ka thënë se kandidatët për president shpallen në Kuvend dhe jo diku tjetër.

“Zgjedhjet nuk përjashtohen asnjëherë. Partitë politike gjithmonë janë të gatshme. Edhe LDK është e gatshme për zgjedhje kurdo që mbahen”, ka thënë ai.

I pyetur nga gazetarët se a është ndëshkuar me votë LDK nga elektorati i saj për shkak të pazareve që ka bërë në të kaluarën me PAN-in, Gashi ka thënë se rezultati nuk ka të bëjë asgjë me PAN-in dhe nëse shikohet ashtu atëherë edhe Lëvizja Vetëvendosje është gjenezë e PDK-së dhe disa parti tjera gjenezë e LDK-së.

“Prandaj kjo nuk është rruga e duhur me bërë politikën. Në Podujevë e kemi një rezultat zgjedhor i cili është konfirmuar dhe do të marrim përgjegjësi për atë rezultat”, ka thënë ai./IndeksOnline/