12:23 / E Enjte, 30 Maj 2024 / G T

Arbitret shqiptare do të vendosin drejtësi në ndeshjen Zvicër – Hungari

Pas arbitrimit historik të Emanuela Rustës dhe Edjena Kapxhiut në UEFA Women’s Champions League në ndeshjen SL Benfica W – Barcelona W, arbitret shqiptare do të vendosin sërish drejtësi në arenën europiane.

Emanuela Rusta si kryesore, Edjena Kapxhiu e Mirjeta Salla në rolin e asistentes dhe Kejsi Tafili si arbitre e katërt do të gjykojnë për herë të parë në histori një ndeshje kualifikuese të vlefshme për Kampionatin Europian për vajza.

Të premten në mbrëmje më 31 maj në orën 20:00, arbitret shqiptare do të drejtojnë ndeshjen e grupit B1, Zvicër – Hungari që do të luhet në stadiumin “Tissot Arena”.

Një tjetër lajm i mirë dhe një sukses për arbitrimin shqiptar dhe Federatën Shqiptare të Futbollit, teksa vlerësimi nga UEFA-ja edhe për arbitret vajza po rritet dita-ditës.

Emanuela Rusta, Edjena Kapxhiu dhe Mirjeta Salla janë të pajisura me stemën e FIFA-s, ndërsa në qershorin e vitit 2023 Rusta u bë arbitrja e parë femër e promovuar nga Komiteti i Arbitrave në UEFA, duke u ngjitur në kategorinë e parë.