13:42 / E Hënë, 10 Shtator 2018 / indeksADMonline

Arifi kërkon që draft rezoluta për bashkimin me Kosovën, të shkojë sa më shpejt në Parlament

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është takuar sot me liderët e Luginës së Preshevës, ku edhe u kërkua një draft-rezolutë për bashkimin me Kosovën.

Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, pas takimit, në një konferencë për media ka thënë se presin që draft-rezoluta e paraqitur sot në takimin me presidentin Thaçi, do shkojë sa më shpejt në Kuvendin e Kosovës dhe ajo të votohet nga ky parlament.

Me këtë rast, ai u bëri thirrje gjithë Grupeve Parlamentare të Kosovës, PDK-së, LDK-së, AAK-së, Vetëvendosjes, PSD-së, Nismas Socialdemokrate, Alternativa dhe gjithë partive të tjera në Parlament që të nxjerrin sa më shpejt të jetë e mundur këtë draft-rezolutë në seancë të jashtëzakonshme dhe të njëjta ta votojnë.

“Ne liderët politikë të Luginës së Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës iu drejtohemi me një kërkesë publike liderëve të Kosovës, që në një periudhë sa më të shkurtër kohore të miratojnë një rezolutë në Kuvendin e Kosovës, përmes së cilës do ta përkrahin vullnetin e tyre politik të shpallur me një rezolutë e 1 dhe 2 marsit të vitit 1992, për bashkimi tonë me Kosovën. Po ashtu përmes këtij draft-rezolute kemi kërkuar që Lugina e Preshevës të përfshihet në ekipin negociator të dialogut Kosovë- Serbi. Mendoj se kjo është një kërkesë legjitime, nuk krijohet disbalancë”, ka thënë Arifi.

Arifi ka shtuar se qytetarët e Luginës së Preshevës janë të entuziazmuar nga mundësia për t’u bashkuar me Kosovën.

“Qytetarët e Luginës së Preshevës janë të entuziazmuar nga mundësia për t’iu bashkangjitur Republikës së Kosovës. Por kërkohet edhe krijimi i sigurisë. Pikë së pari shpresoj të kalojë draft-rezoluta dhe për këtë iu bëjmë thirrje”, ka shtuar ai./Indeksonline/