22:48 / E Martë, 02 Tetor 2018 / indeksADMonline

Draft-rezoluta e Luginës mbetet në Kuvend, s’ka ende datë për seancë 

Kanë kaluar më shumë se tre javë që kur përfaqësuesit e Luginës së Preshevës kanë prezantuar një draft-rezolutë të tyre për bashkimin  e kësaj zone me Kosovën.

Këtë draft-rezolutë ata e prezantuan gjatë një konference të përbashkët për media me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ku edhe kërkuan nga Institucionet e Kosovës që sa më parë të thirret një seancë e jashtëzakonshme dhe të miratohet kjo rezolutë.

Mirëpo, një seancë e tillë ende nuk është thirrur.

Sekretari i përgjithshëm i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi në një prononcim për Indeksonline ka treguar se kjo rezolutë tashmë gjendet në Kuvendin e Kosovës.

Edhe pse nga përfaqësuesit e Luginës së Preshevës ishte kërkuar që kjo kërkesë e tyre të trajtohet sa më parë, ajo ende nuk është në agjendën e Kuvendit dhe nuk dihet se kur do të futet.

“Se kur do te jete ne agjendë, do te informoheni përmes ueb-faqes se Kuvendit”, ka thënë Krasniqi për Indeksonline.

Ndryshe, Indeksonline ka kontaktuar edhe me disa nga përfaqësuesit e Luginës për këtë çështje, mirëpo të njëjtin nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndërkohë, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi po vazhdon t’u bëj thirrje partive politike për përkrahjen e idesë së tij për korrigjimin e kufijve me Serbinë, e cila do mundësonte edhe bashkimin e Preshevës, Medvegjes dhe Bujanocit me Kosovën.

Por, këtë ide nuk po e përkrahin  opozita, as AAK dhe Nisma./Indeksonline/