14:37 / E Enjte, 29 Mars 2018 / indeksADMonline

Arifi: Me Serbinë bëmë monolog në Bruksel

Shefi për negociata me Serbinë, Avni Arifi ka raportuar sot para Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike lidhur me takimin e tij të fundit në Bruksel.

Ai duke komentuar bisedimet Kosovë-Serbi, tha se  pala serbe nuk ishte e interesuar për bisedime për marrëveshje të tjera por vetëm për asociacionin e Komunave Serbe, raporton Indeksonline.

“Asgjë nuk po ndodh në mënyrë jo transparente. Ka qenë me rëndësi që në Bruksel të kemi ekspertizën e duhur që të implementohen marrëveshjet mes dy shteteve”, tha Arifi, duke shtuar se në raundin e fundit të bisedimeve, shkuan në Bruksel me idenë që të implementohen marrëveshjet.

Sipas Arifit, në takim u shkua më qëllim që të bisedohet për marrëveshjen me energjinë, duke e marr kështu me vete edhe ekipin e ekspertëve për këtë çështje.

“Delegacioni serb kishte ardhur i përgatitur sa i përket njerëzve por në momentin që ata morën vesh që nuk kemi ardhur për AKS-në, prej atij momenti ishte zhvilluar më shumë monolog nga ana jonë”, tha Arifi. /Indeksonline/