Armatim i rëndë në Zveçan dyshohet se është gjetur në objektin e politikanit serb, Aleksandar Arsenijeviq

Policia e Kosovës ka zbuluar një sasi te madhe armatimi në fshatin Vallaq të Komunës së Zveçanit.
Rastin për IndeksOnline e ka konfirmuara zëdhënësi i policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Veton Elshani.
“Pas pranimit të informacionit se në një lokacion të caktuar ka mundësi që të ketë armë, Policia e Kosovës ka reaguar dhe gjatë bastisjes në fshatin Vallaq, Komuna Zveçan, në një shtallë të kuajve kemi hasur në një sasi të madhe armatimi. Armët, municioni, granatat e dorës dhe Zollat janë gjetur në dy gypa të plastikës të vendosur nën tokë”, ka thënë Elshani për IndeksOnline
Sipas informatave të bëra publike nga ministri i Punëve të Brendshme në detyrë, Xhelal Sveçla, vendi ku është gjetur ky armatim i rëndë është një objekt që i përket politikanit serb Aleksandar Arsenijeviq, një emër i njohur në skenën politike të veriut të Kosovës.
Gjatë bastisjes prezent ishin përpos njësive adekuate policore edhe US-KFOR dhe njësi monitoruese nga EULEX./IndeksOnline/