14:17 / E Enjte, 21 Prill 2022 / LB

Armiqtë e vërtetë të pushtetit

Shkruan: Agron Halitaj

“Nëse gazetarët heshtin, liria jonë është e humbur”, ka thënë gazetarja hulumtuese Daphne Caruana Galizia, e cila pas një serie shkrimesh për njerëzit e pushtetshëm e të korruptuar- vite më parë u vra nga një bombë e kurdisur në makinën e saj. Vrasja e gazetares malteze është një prej rasteve të shumta që për çdo vit ndodhin në vende të ndryshme të botës, e që e shpërfaqin ndjeshmërinë dhe rrezikun e të qenit gazetar në kuptimin plotë të fjalës.

Në asnjë vend politikanët nuk ndihen rehat për shkak të ‘kontrollit’ nga mediet, mirëpo gazetarët – të paktën ata që jetojnë në shtetet demokratike – nuk e lodhin kokën për hatërmbetjet e tyre. Gjithçka është në suaza të së pranueshmes përderisa pushteti nuk tenton t’i vë mediet nën kontroll, apo t’i linçoj ato që i sheh si kundërshtare më të ashpra. Tendencat e tilla e rrezikojnë rendin demokratik dhe bëjnë që sistemet qeverisëse të rrëshqasin në regjime autokratike/totalitare.

Me ngufatjen e lirisë së medias, ngufatet edhe liria e të shprehurit; me ngufatjen e lirisë së shprehjes, gradualisht vjen duke u ngufatur edhe liria e të menduarit. Për të mos ndodhur kjo, është e udhës që autoritetet qeverisëse t’i njohin mediet si “pushtet në vete”, ndërsa gazetarëve u takon ta dëshmojnë guximin, dijen dhe profesionalizimin në çdo rrethanë – edhe atëherë kur janë përballë figurave me ndikim që – për aq sa mund të tregohen arrogantë – dinë të jenë edhe kontrovers dhe manipulues.

Gazetarët që nuk i çojnë në qiell politikanët para se t’ua parashtrojnë ndonjë pyetje sugjestive; që nuk pranojnë të përbuzen e të ofendohen nga kushdoqoftë; që nuk zmbrapsën së kërkuari llogari në interes të publikut; e mbi të gjitha që nuk kapen për hundësh, janë të njëmendtë dhe, si të tillë, pos që janë në shërbim të publikut, u ndihmojnë edhe pushtetarëve që të jenë të vëmendshëm, të korrigjohen e të mos rrëshqasin në veprime abuzive e korruptive.

Sikur gazetarët të mos flisnin e të shkruanin për të bëmat e anëtarëve të partive që kanë (bashkë)qeverisur gjatë dy dekadave në Kosovë, nuk do të ishte krijuar klima për largimin e tyre nga pushteti. Por, është shkruar dhe është folur për abuzime me pozitat zyrtare; për përfitime materiale; për nepotizëm e mbipunësime; për hajni; për dhënie tenderësh e për ryshfet; për kapadaillëk të disa komandantëve të angazhuar në politikë; për ndikimin e politikës në sistemin e drejtësisë; për ndikimin e politikës në Polici, si dhe për degradimin e sistemit ekonomik, shëndetësor, gjyqësor, arsimor e social. Pra, është shkruar e folur për çfarëdolloj shkeljesh dhe abuzimesh që janë bërë nga të fortët e politikës. Ky trend nuk duhet të ndalet, pavarësisht ndërrimeve të pushteteve, sepse qytetarët nuk i japin askujt besimin për ta shkelur ligjin e as për t’u sjellë si padronë të institucioneve.

Pushtetarët e sotëm, e të nesërm, nuk duhet t’i shohin gazetarët si armiq kur ata e kryejnë misionin që kanë sepse, fundja, armiq të asnjë qeverie, të cilësdo kohë a krah, nuk janë ata që kritikojnë, ata që i denoncojnë dhe që i luftojnë veprimet e këqija të pushtetarëve, por ata që e duartrokasin qeverinë pa e lodhur mendjen për të vërtetën për atë se çfarë po ndodhë. Këtë duhet ta kenë parasysh edhe militantët partiakë para se të hedhin gurë e vrer mbi këdo që shkruan dhe e flet të vërtetën, apo që i sfidon politikanët me pyetje edhe në momentet kur ata nuk e presin.